Në një telegram të nënshkruar nga kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Leoni XIV dërgon ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve nga shpërthimi i shkaktuar nga përplasja, dje në Kajro, e një autoboti që transportonte produkte nafte. Papa siguron lutjen për shërimin e të plagosurve dhe afërsinë shpirtërore për të gjithë ata që u goditën nga tragjedia.
Papa Leoni XIV shpreh “trishtimin” e tij për viktimat dhe të plagosurit nga aksidenti i rëndë rrugor që ndodhi dje, më 26 nëntor, në një zonë metropolitane në veriperëndim të Kajros, kryeqytetit të Egjiptit.
Një autobot që transportonte produkte nafte humbi kontrollin në unazën rrugore dhe u përplas me një barrierë betoni në distriktin Al-Warraq.
Përplasja shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, i cili përfshiu gjithë rrugën dhe shkatërroi gjithsej 27 automjete, mes tyre makina dhe motoçikleta.
Bilanci i përkohshëm është së paku 31 të vdekur dhe 21 të plagosur. Për identifikimin e viktimave është vendosur ekzaminimi i ADN-së.
Afërsia dhe lutjet e Papës
Papa Leoni XIV u shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre, përmes një telegrami të nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.
“Duke ia besuar shpirtrat e të ndjerëve mëshirës së të Gjithëpushtetshmit”, Papa Leoni XIV “ lutet gjithashut edhe për shërimin e të plagosurve”. Ati i Shenjtë siguron më tej “afërsinë e tij shpirtërore me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi” dhe lutet që mbi të gjithë të dikohen bekimet hyjnore të forcës dhe ngushëllimit./Radio Vatikani