Papa Leoni XIV: “Fetë të jenë tharm bashkimi në një botë të përçarë”
Papa Leoni XIV: “Fetë të jenë tharm bashkimi në një botë të përçarë” 01.10.2025 | 02:29
Në muajin tetor, i cili shënon 60-vjetorin e dokumentit konciliar “Nostra Aetate”, Papa ia kushton ndjetin e tij të lutjes bashkëpunimit ndërmjet traditave të ndryshme fetare. Fetë, pohon Leoni XIV, të mos përdoren si “armë a mure”, por të jetohen si “ura e profeci”. Në një kohë konfliktesh, Ati i Shenjtë i fton besimtarët të kërkojnë ç’i bashkon “për të mbrojtur paqen, drejtësinë, dhe vëllazërimin njerëzor” .
 
U publikua sot Videoja e Papës për tetorin, që paraqet ndjetin e lutjes së Leonit XIV: "Të lutemi që ne, besimtarë të traditave të ndryshme fetare, të punojmë së bashku për të mbrojtur dhe për të promovuar paqen, drejtësinë dhe vëllazërimin njerëzor". Ndjeti - të cilin Papa ia beson, si çdo muaj, Rrjetit të tij të Lutjes Botërore - lind në një kohë konflikti dhe polarizimi, në të cilën feja, nganjëherë, u nënshtrohet logjikave të kundërvënies; përkundrazi, Papa na fton ta rizbulojmë atë si urë vëllazërimi dhe forcë pajtimi.
 
Jo armë dhe mure, por ura dhe profeci
 
Në video Leoni XIV lexon një lutje, me të cilën vë në dukje se bashkëpunimi ndërmjet besimtarëve nuk kufizohet vetëm në një detyrë për teologët dhe ekspertët, por ushqehet nga impenjimi konkret dhe i përditshëm i secilit. Papa lutet që të mësojmë "ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra, të thirrur për të jetuar, për t'u lutur, për të punuar dhe për të ëndërruar së bashku", si edhe i bën thirrje Shpirtit Shenjt të na ndihmojë për “të kuptuar çka na bashkon" dhe "të bashkëpunojmë pa shkatërruar". Traditat e ndryshme fetare duhet të jenë "tharm uniteti në një botë të përçarë", vazhdon ai, duke kujtuar se shpesh ndodh e kundërta: "në vend që të na bashkojnë, ato bëhen burim konflikti". Prandaj, i fton të gjithë besimtarët, të krishterë e jo, që të mos i përdorin fetë "si armë a mure, përkundrazi, ato të përjetohen si ura e profeci", nxit Papa, duke përmendur "shembujt konkretë të paqes, drejtësisë dhe vëllazërimit" në botë.
 
Nga lart e nga poshtë
 
Pikërisht shembuj të ndryshëm konkretë rrëfehen në video, që ndërthur çaste nga "lart" dhe nisma nga "poshtë". Nga njëra anë, kthesat historike të udhës ndërfetare: takimi historik i promovuar nga Gjon Pali II në Asizi në vitin 1986; vizita e Benediktit XVI në Sinagogën e Romës në vitin 2010; nënshkrimi i Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor në Abu Dabi në vitin 2019, nën papninë e Atit të Shenjtë Françesku; deri te takimet më të fundit ekumenike të Leonit XIV në Vatikan. Nga ana tjetër, ndjeti i lutjes së këtij muaji na kujton se dialogu ndërfetar nuk kufizohet vetëm me takimet ndërmjet krerëve: pamjet e videos nxjerrin në dritë përvojat e promovuara në nivel lokal, siç është takimi ndërfetar i organizuar në Singapor, në prill 2025, nga Karitasi dhe nga kryedioqeza, me rastin e Ditës së Tokës, ose nisma "Një familje njerëzore e vetme”, promovuar nga Lëvizja Fokolarine ndërmjet majit dhe qershorit 2024. Janë dy shenja të fundit dhe konkrete të atij dialogu, që nxit afërsinë, besimin dhe bashkëpunimin e përditshëm.
 
“Nostra Aetate”, 60 vjet fryte
 
Ky ndjet lutjeje shënon 60-vjetorin e “Nostra Aetate”, deklaratës së Koncilit II të Vatikanit, që hapi shtigje dialogu, respekti dhe bashkëpunimi në marrëdhëniet e Kishës Katolike me fetë e tjera. Publikimi i Videos së Papës shënon kështu fillimin e një muaji me nisma të ndryshme për të reflektuar mbi trashëgiminë e dokumentit konciliar në shoqërinë bashkëkohore.
 
Dhjetë vjet më parë, në 50-vjetorin e “Nostra Aetate”, Papa Françesku ia theksoi aktualitetin, duke kujtuar se rruga e dialogut kërkon mirëkuptim të ndërsjellë, respekt dhe vlerësim. Gjithashtu, nënvizoi se bota u drejtohet besimtarëve për të gjetur përgjigje për çështje si ajo e paqes, e urisë, e varfërisë, e krizës mjedisore dhe për çështjen e dhunës, sidomos për atë të kryer në emër të fesë. Në këtë kontekst, Ati i Shenjtë vinte në dukje se besimtarët nuk kanë "receta" për të gjitha problemet, por kanë lutjen, thesar me të cilin i drejtohen Zotit, sipas traditave të tyre përkatëse.
 
Ja lutja, që Papa Leoni XIV shqipton në videon e tetorit:
O Zoti ynë, Jezu Krisht,
Ti, që në tri Vetje je Një
dhe e shikon me dashuri çdo njeri,
na ndihmo ta kuptojmë se jemi vëllezër dhe motra,
të thirrur për të jetuar, për t'u lutur, për të punuar dhe për të ëndërruar së bashku.
Ne jetojmë në një botë plot bukuri,
por edhe të plagosur nga përçarje të thella.
Nganjëherë, fetë, në vend që të na bashkojnë,
bëhen shkak konfrontimi.
Jepna Shpirtin tënd që t’i purifikojmë zemrat,
që ta dallojmë se çfarë na bashkon
dhe, prej andej, të mësojmë përsëri si të dëgjojmë
dhe të bashkëpunojmë pa shkatërruar.
Shembujt konkretë të paqes,
drejtësisë dhe vëllazërimit ndërmjet feve
na frymëzofshin të besojmë se është e mundur të jetojmë
dhe të punojmë së bashku, përtej dallimeve.
Fetë të mos përdoren si armë a mure,
por të jetohen si ura dhe profeci:
duke e bërë të besueshme ëndrrën e së mirës së përbashkët,
duke shoqëruar jetën, duke mbështetur shpresën
dhe duke qenë tharm uniteti në botën e fragmentuar.
Amen
/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.