Papa takon Rubion: ripohon impenjimin për paqen dhe për marrëdhënie të mira me SHBA-në
Papa takon Rubion: ripohon impenjimin për paqen dhe për marrëdhënie të mira me SHBA-në 08.05.2026 | 03:00
Sot paradite, 7 maj, Papa priti në një audiencë prej rreth 45 minutash në Vatikan, Sekretarin e Shtetit të SHBA-së. Në qendër, konfliktet në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, si edhe çështja kubane. Në Sekretarinë e Shtetit, Papa u takua me kardinalin Parolin, me të cilin pati si temë bisede "vendet në luftë, tensionet politike e situatat e vështira humanitare", si edhe nevojën për të "punuar pa u lodhur" për paqen.
 
“Kam kënaqësi t’ju ​​shoh përsëri. Ka kaluar pothuajse një vit!” “Një ditë më pak… Jo, dhjetë ditë!” Këto ishin batutat që shkëmbyen Papa Leoni XIV dhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në fillim të bisedës së tyre 45-minutëshe, sot paradite, më 7 maj, në Vatikan. Më pas, “biseda e përzemërt” në Sekretarinë e Shtetit me kardinalin Pietro Parolin, gjatë së cilës, siç thuhet në një deklaratë të Selisë së Shenjtë, “u rinovua impenjimi i përbashkët për të kultivuar marrëdhënie të mira dypalëshe midis Selisë së Shenjtë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Gjithashtu, nota e Vatikanit njofton për “një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatën rajonale dhe ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë për vendet në luftë, për tensionet politike dhe për situatat e vështira humanitare, si edhe për nevojën që të punohet pa u lodhur për paqen”. Lidhur me këto pika të fundit, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë shpjegon se, ndërmjet zonave të konfliktit të përmendura, ishin vendet e Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, veçanërisht Libani dhe Irani, por edhe Kuba - në këto ditë tensionesh të forta me Shtetet e Bashkuara – për të theksuar nevojën e mbështetjes së popullit kuban.
 
Takim pas një viti
 
Rubio dhe Papa u takuan më 19 majin e vitit të kaluar—i pranishëm edhe Zëvendëspresidenti J.D. Vance—një ditë pas meshës, që shënonte fillimin e shërbesës pjetrine. Papa iu referua pikërisht këtij takimi kur tha, "...dhjetë ditë më pak!" Sot, ata u takuan përsëri, në prag të përvjetorit të parë të papnisë së tij dhe në ditët pas kritikave të presidentit Donald Trump kundër Leonit XIV, të cilave vetë Papa iu përgjigj të martën mbrëma në Castel Gandolfo.
 
Vatikani është etapa e parë e vizitës së Marco Rubios në Itali, ku ai mbërriti sot në orën 9.00, në aeroportin Ciampino. Ai do të takohet edhe me kryeministren italiane Giorgia Meloni nesër në Palazzo Chigi, së bashku me ministrat Tajani dhe Crosetto. Rreth orës 11.10, autokolona mbërriti në Oborinn e Shën Damazit në Vatikan, mes masave të rrepta të sigurisë dhe zhurmës së helikopterëve mbi Via della Conciliazione krejtësisht të zbrazët. Rubio u prit nga prefekti i Familjes Papnore, imzot Petar Rajic, i cili, duke i shtrënguar dorën, i tha: "Mirë se vini në Vatikan!" Rubio shoqërohej nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Selinë e Shenjtë, Brian Burch. Ndërsa ai mbërrinte në Vatikan, dilte kryeministri polak Donald Tusk, pasi ishte takuar me Papën këtë mëngjes.
 
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
 
Pas Papës, Rubio u prit në zyrën e Sekretarisë së Shtetit nga kardinali Parolin, i shoqëruar nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Dje pasdite, duke folur me gazetarët gjatë paraqitjes së një libri LEV në Augustinianum, Parolin parashikoi që takimi do të trajtonte çështje ndërkombëtare dhe të tjera. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nga ana e tij, publikoi një deklaratë duke vënë në dukje se gjatë audiencës me Papën, “janë marrë në shqyrtim përpjekjet humanitare në hemisferën perëndimore dhe përpjekjet për të arritur një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Bisedimet vunë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm ndërmjet SHBA-ve dhe Selisë së Shenjtë në promovimin e lirisë fetare”. Gjithashtu, Uashingtoni bën të ditur se është i kënaqur nga mbërritja e nuncit të ri apostolik në SHBA, imzot Gabriele Giordano Caccia.
 
Dhuratat
 
Audienca e sotme me Papën përfundoi me një fotografi të Papës me delegacionin dhe me shkëmbimin e dhuratave. Ndërmjet tyre, nga ana e Rubio, dallohej një top prej kristali i lojës regbi. "Ju jeni tifoz bejsbolli", i tha Rubio Papës, duke shpjeguar se dhurata mbante vulën e Departamentit të Shtetit dhe duke shtuar me shaka: "Çfarë mund t'i japësh dikujt, që tashmë ka gjithçka?" Leoni XIV i dhuroi librin e apartamenteve të audiencave në Pallatin Apostolik, vëllimin me fotografi të Kapelës Sikstine dhe një stilolaps prej druri ulliri: "Ulliri", theksoi ai, "është pemë e paqes".
 
Në orën 13.50, autokolona e Rubios u largua nga Vatikani, pas dy orë e gjysmë bisedimesh./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.