Në një deklaratë drejtuar Kombeve të Bashkuara, të lëshuar më 1 korrik, Vëzhguesi i Përhershëm në Gjenevë, Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, riafirmoi angazhimin e delegacionit të Vatikanit për të shqyrtuar Konventën mbi municionet thërrmuese, armë që "vazhdojnë të marrin shumë jetë të pafajshme". "Lufta kundër këtyre pajisjeve, deklaroi ai, është një kontribut i rëndësishëm për paqen e paarmatosur dhe çarmatosëse".
Konventa mbi municionet thërrmuese në grumbull mund të kontribuojë në ndërtimin e "një paqeje të paarmatosur dhe çarmatosëse, të përulur dhe këmbëngulëse", siç shpreson Papa Leoni XIV, veçanërisht duke përdorur një afrim të përqendruar te personi, "duke ofruar mbështetje për të prekurit dhe duke pranuar vuajtjet e tyre". Në këtë mënyrë, Kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero, Nunc Apostolik dhe Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, pardje, më 1 korrik, shprehu angazhimin e delegacionit të Vatikanit për të luftuar përdorimin e këtyre pajisjeve shpërthyese.
Armë, që marrin viktima të pafajshme
Imzot Balestrero, në deklaratën e tij, vlerësoi përkushtimin e ekipit të Republikës Popullore Demokratike të Laosit në përgatitjen për Konferencën e Tretë të rishikimit të Konventës për municionet “thërmuese". Më pas theksoi se këto lloje armësh godasin jo vetëm personelin ushtarak, por veçanërisht civilët dhe fëmijët. "Duke e vendosur personin njerëzor në qendër" - tha Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, "kjo Konventë mishëron frymën e vërtetë humanitare të kujdesit dhe të mbrojtjes së nevojave të më të ligshtëve dhe të atyre që vuajnë nga shkaku i mizorisë së konfliktit".
Çarmatimi, parakusht për zhvillimin e gjithanshëm
T’i bësh të padëmshme këto armë është, pra, parakusht themelor për të mundësuar zhvillimin ekonomik dhe personal të të gjithëve, madje edhe popullatave më të prekshme. "Kjo tregon lidhjen e pandashme - vazhdoi Kryeipeshkvi Balestrero - ndërmjet çarmatimit dhe zhvillimit integral njerëzor. Nga kjo perspektivë, Selia e Shenjtë synon të promovojë zbatimin e Konventës, duke i qëndruar besnike shpirtit që e frymëzoi hartimin e saj".
Imzot Balestrero vuri në dukje gjithashtu se edhe "shumë shtete palë dhe shtete që nuk janë palë në Konventë e dinë shumë mirë se trashëgimia vdekjeprurëse e municioneve thërrmuese vazhdon të godasë jetë të shumta të pafajshme". Prandaj propozoi që "familja e kombeve" ta konsiderojë "ndihmën për viktimat" si "përgjegjësi të përbashkët", të përqendruar në nevojat e tyre.
Zhdukja e çdo pengese, për pranimin sa më të gjerë të mundshëm
Së fundmi, delegacioni i Selisë së Shenjtë vuri në dukje "me shqetësim" se teksti përmban ende formulime të caktuara "ndaj të cilave ne kemi shprehur vazhdimisht kundërshtimin tonë". Përfshijnë shprehje të tilla si "gjinia dhe diversiteti", "konsideratat gjinore" dhe "integrimi i perspektivës gjinore". Përfshirja e "referencave" të tilla në tekstin e konventës - "problematike edhe për shumë Shtete të tjera Palë" - argumentoi Imzot Balestrero, - mund të jetë pengesë e mëtejshme për ratifikimin ose pranimin e tyre, me pasoja për universalizimin e Konventës".
Çfarë janë municionet “a grappolo”, apo thërrmuese?
Konventa për municionet thërrmuese është traktat ndërkombëtar i miratuar në vitin 2008 në Dublin dhe i nënshkruar më 3 dhjetor 2008, në Oslo.
Hyri në fuqi më 1 gusht 2010, me qëllim eliminimin e përdorimit të një lloji arme me pasoja të rënda humanitare, veçanërisht për civilët. Municionet thërrmuese mund të jenë bomba, raketa ose predha që, pasi lëshohen, hapen në fluturim, duke shpërndarë dhjetëra ose qindra municione të vogla në një zonë shumë të madhe. Ato mund t’i synojnë lehtësisht civilët, pasi disa nga municionet në fjalë nuk shpërthejnë pas impaktit, por mbeten në tokë si minat, duke vazhduar të vrasin ose të plagosin edhe shumë vite pasi të ketë kryer konflikti./Radio Vatikani