Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se fushata e ashpër kundër emigrantëve pa dokumente mund të ketë kaluar kufijtë, duke pranuar se kjo politikë ka humbur mbështetjen e një pjese të qytetarëve amerikanë.
Në një intervistë për emisionin prestigjioz “60 Minutes” të CBS, Trump pranoi se deportimet kanë qenë veçanërisht të ashpra ndaj emigrantëve që jetojnë prej më shumë se një dekade në SHBA dhe që nuk kanë kryer vepra të rënda penale.
Deklaratat e tij vijnë pas rezultateve të dobëta të republikanëve në zgjedhjet e fundit, ku politikat e emigracionit duket se janë kthyer në një nga pikat më të debatueshme për administratën e tij.
Megjithatë, Trump nuk pranoi të marrë përgjegjësinë për humbjet elektorale, duke ia atribuar rezultatin edhe kandidatëve republikanë, të cilët, sipas tij, nuk arritën të përfitonin nga mbështetja politike që ai pretendon se gëzon.
Ai përmendi gjithashtu çështjen e Iranit dhe dobësitë në komunikimin politik si faktorë që ndikuan në rezultatet e partisë.
Pavarësisht pranimit se politika e deportimeve mund të ketë qenë tepër e ashpër, mbetet e paqartë nëse Shtëpia e Bardhë do të ndërmarrë hapa konkretë për ta zbutur atë. Emërimi i Stephen Millerit, një prej figurave kryesore të politikës së ashpër kundër emigracionit, në një rol të rëndësishëm në administratë, lë të hapur pikëpyetjen për drejtimin që do të marrë kjo politikë.
Gjatë intervistës, Trump foli edhe për kundërshtarët politikë dhe mundësinë e faljes së tyre, duke dhënë një përgjigje që ka nxitur reagime.
“Do të preferoja të shkoja në ferr sesa të falja”, u shpreh ai, duke theksuar se nuk kishte ndërmend të ndryshonte qëndrimin ndaj njerëzve që i konsideron armiq.
Kështu, intervista e Trump nxori në pah dy kontraste të forta: nga njëra anë, pranimin se ashpërsia ndaj emigrantëve mund t'i ketë kushtuar politikisht republikanëve dhe, nga ana tjetër, një qëndrim të pandryshuar, madje edhe më të ashpër, ndaj kundërshtarëve të tij politikë.