Organizata e OKB-së për Fëmijët, UNICEF, deklaroi se të paktën 100 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga armëpushimi i arritur në fillim të tetorit.
Të paktën 100 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga armëpushimi që hyri në fuqi në fillim të tetorit, shpjegoi zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, në Gjenevë, të martën.
Z. Elder tha se kjo shifër arrin në afërsisht një fëmijë të vrarë çdo ditë, dhe me qindra të tjerë të plagosur.
Nëse bombardimet dhe të shtënat me armë janë pakësuar, që nga marrëveshja e armëpushimit e deri sot, UNICEF ka dokumentuar të paktën 60 djem dhe 40 vajza të vrarë në Rripin e Gazës.
Këto shifra, theksoi Z. Elder, vlejnë vetëm për rastet për të cilat kishte informacion të mjaftueshëm, duke lënë të nënkuptohet se numri duhet të jetë më i madh.
Organizata gjithashtu paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme vetëm sa e ashpërsojnë gjendjen e krijuar nga kufizimet e ashpra për furnizimet që hyjnë në Gaza.
Ka mungesa, paralajmëroi z. Elder, për një varg të gjerë mallrash kritike, duke përfshirë furnizimet mjekësore, gazin për gatim, karburantin dhe përbërësit e nevojshëm për të mirëmbajtur ujësjellësin dhe kanalizimet.
Në këtë situatë, Organizata e OKB-së për Fëmijë bëri thirrje për shndërrim të dhunës së zvogëluar në siguri të vërtetë. Kjo e fundit kërkon «hapjen e plotë për ndihmë humanitare, rritjen e ndjeshme të evakuimeve mjekësore dhe sigurinë që tashti të mos ketë më fëmijë të vrarë në Gaza.»
Megjithatë, pavarësisht këtyre kushteve, armëpushimi, shpjegoi zëdhënësi i UNICEF-it, ka bërë të mundur një lloj përparimi, të kufizuar por të prekshëm, në disa fusha.
Në sektorin e shëndetësisë, UNICEF dhe partnerët e tij kanë zgjeruar shërbimet themelore shëndetësore, duke përfshirë vaksinimet, veçanërisht në Gazën veriore, e cila ka qenë plotësisht pa ndihmë. Për më tepër, përpjekjet për kanalizimet e ujrave të zeza janë rritur me UNICEF-in që po përdor të gjitha mjetet për të hequr afërsisht 1,000 ton mbeturina të ngurta çdo muaj.
Përmirësimet janë të papërfillshme duke pasur parasysh vuajtjet e paimagjinueshme të popullatës
Me motin e ftohtë dhe me shi të kohëve të fundit, UNICEF-i ka ndihmuar për shpërndarjen e gati një milion batanijeve termike dhe qindra mijëra kompleteve të veshjeve dimërore për fëmijët, dhe ka kontribuar në riparimin e tubave të ujit, stacioneve të pompimit dhe rrjetit të kanalizimeve.
Përsa i përket ushqimeve, organizata ka hapur më shumë se 70 pika shpërndarje ushqimesh në gjithë Gazën, duke shmangur zinë e bukës.
Megjithatë, z. Elder theksoi se këto përparime janë të vogla pas luftimeve të zgjatura që ua kanë bërë jetën fëmijëve të Gazës jashtëzakonisht të vështirë.
Ai vuri në dukje se fëmijët vazhdojnë të jetojnë me frikë dhe trauma e tyre psikologjike rrallëherë trajtohet nga psikologët.
Zëdhënësi i UNICEF theksoi se «një armëpushim që ngadalëson bombardimet është përparim», por shtoi se megjithatë «nuk është i mjaftueshëm nëse vazhdon të vrasë fëmijët»./Radio Vatikani