Derisa procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, subjektet politike ende nuk kanë dhënë sinjale për arritjen e ndonjë marrëveshjeje të mundshme për formimin e institucioneve.
Përveç deklarimeve se do të kontribuojnë në formimin e institucioneve asnjëra nga to nuk kanë treguar nëse kanë nisur diskutimet me njëra-tjetrën lidhur me formimin e institucioneve. Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla ndërkohë, tha se bisedimet e mundshme me subjektet e tjera politike mund të bëhen pas certifikimit të rezultateve dhe se koalicioni i LVV-së nuk ka diskutuar për koalicione.
“Nuk diskutojmë ne as për vija të kuqe, e as për koalicione të cilat do ti shohim pasi të kemi marrë rezultatin përfundimtarë të certifikuar, me qëllim që ta dimë cili është mesazhi i qytetarëve. Ne përsëri kemi fituar zgjedhjet bindshëm, përsëri kemi më shumë vota se të gjitha partitë shqiptare tjera, prandaj nuk shoh asnjë arsyeje. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e vogël, ky është një mesazh të cilin duhet ta analizojmë dhe kuptojmë drejtë të gjithë ne që jemi aktiv në skenën politike”, tha Gërvalla.
Sipas të dhënave të KQZ-së aktualisht LVV ka mbi 45 % të votave e ndjekur nga Partia Demokratike që aktualisht ka mbi 20 % të votave. Kryetari i Partisë Dmokratike Bedri Hamza pak ditë më parë ka thënë se preferenca e tij është formimi i një qeverie pa Lëvizjen Vetëvendosje por ka shtuar se ndërtimi i shpejt i institucioneve bëhet vetëm me një marrëveshje politike para konstituimit të Kuvendit.
Ndërkohë, drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja, subjektet politike duhet të arrijnë një marrëveshje të shpejtë për formimin e institucioneve, meqë, sipas tij afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit prej 60 ditësh aktivizohet në ditën kur konstituohet Kuvendit.
“Çfarë kuptimi ka ta votosh qeverinë e pas 60 ditëve të shkojmë në zgjedhje”, tha Miftaraj për rtv21.
Kosova mbajti zgjedhje të jashtëzakonshme në mungesë të një kompromisi politik për zgjedhjen e presidentit dhe situata e njejtë mund të përsëritet edhe pas certifikimit të rezultateve të 7 qershorit. Aktualisht janë ngritur dilemat nëse qeveria apo presidenti dueht të zgjidhet së pari. Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thotë se Kushtetuta nuk përcakton nëse duhet të zgjidhet më parë presidenti apo qeveria, por kërkon respektimin e afateve kushtetuese.
“Kushtetuesja nuk ka përcaktu se kush të zgjidhet i pari në këto raste. Parimisht më mirë do ishte të zgjidhet presidenti por edhe nëse zgjidhet qeveria nuk është shkelje. E rëndësishme është respektimi i afateve kohore”, u shpreh Shala.
Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit të saj ka qartësuar se procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të nisë nga dita e konsyituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda 60 ditëve. Ndërkohë, për formimin e qeverisë subjektet politike kanë afatet e përcaktuara kushtuese nëse arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje apo nëse partia që mori shumicën e votave mund të ketë 61 vota të mjaftueshme për zgjedhje.