Rrjeti i Grave të Kosovës bën thirrje për pjesëmarrje në marshimin kundër femicidit, i cili do të mbahet me 25 nëntor duke filluar nga ora 12:00, me kërkesën që parandalimi i vrasjeve të grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Përmes këtij marshimi, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon veprime konkrete institucionale për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe vendosjen e përgjegjësisë për dështimet institucionale.
Ndër kërkesat kryesore janë ndryshimi i Kodit Penal për adresimin e femicidit dhe formave të tjera të dhunës ndaj grave, krijimi i mekanizmit Femicide Watch për analizimin e rasteve dhe identifikimin e mangësive institucionale, si dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm për strehimoret, linjat emergjente dhe shërbimet e specializuara për viktimat.
Po ashtu, kërkohet miratimi dhe zbatimi i legjislacionit dytësor, me qëllim funksionalizimin e plotë të shërbimeve të mbrojtjes dhe mbështetjes për gratë që përjetojnë dhunë.
Rrjeti i Grave të Kosovës thekson se ngushëllimet pas tragjedive nuk janë të mjaftueshme dhe se parandalimi i femicidit kërkon drejtësi, masa efektive dhe llogaridhënie institucionale.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësim të thellë për vrasjen e një gruaje në Vitomiricë të Pejës, e cila, pavarësisht se kishte kërkuar ndihmë institucionale, nuk arriti të mbrohej nga dhuna që i mori jetën.
Sipas RrGK-së, rasti ngre shqetësime serioze lidhur me trajtimin institucional të viktimës, veçanërisht për shkak të sfidave me të cilat ajo ishte përballur në raport me kontaktin me fëmijën e saj dhe pretendimeve për dështime institucionale. Sipas raportimeve në media, gruaja i ishte drejtuar edhe Prokurorisë për të ngritur shqetësime lidhur me trajtimin e rastit.
Dje, pas një ndërhyrjeje policore, ajo u kthye në shtëpi dhe u vra pak minuta më vonë.
RrGK vlerëson se rasti kërkon shqyrtim të hollësishëm të veprimeve dhe mosveprimeve të mundshme të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e viktimave të dhunës. Sipas organizatës, raportimet e mëparshme, rrethanat familjare, shqetësimet lidhur me fëmijën dhe çdo sinjal tjetër i rrezikut duhet të trajtohen në mënyrë të koordinuar, e jo si çështje të ndara.
Organizata thekson se vlerësimi i rrezikut duhet të jetë individual, serioz dhe i bazuar në të gjitha rrethanat e rastit, me qëllim identifikimin e rrezikut real dhe përcaktimin e masave konkrete për mbrojtjen e viktimës.
Po ashtu, RrGK nënvizon se ndërhyrja policore nuk mund të konsiderohet e përfunduar vetëm me përmbushjen e procedurave formale. Sipas saj, duhet të vlerësohet nëse veprimet e ndërmarra kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar jetën dhe sigurinë e gruas.
RrGK kërkon hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e mundshme të Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale. Organizata kërkon që të shqyrtohet mënyra e trajtimit të raportimeve të mëparshme, vlerësimi i rrezikut, shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve dhe zbatimi i masave të përcaktuara me ligj.
Sipas RrGK-së, asnjë institucion nuk duhet të shmangë përgjegjësinë vetëm duke u thirrur në përmbushjen formale të kompetencave të veta, pa u vlerësuar nëse ndërhyrjet e tij kanë kontribuar në mbrojtjen e viktimës.
Në reagimin e saj, organizata thekson se mbrojtja e jetës është detyrim ligjor dhe institucional, ndërsa çdo dështim i mundshëm duhet të identifikohet, të hetohet dhe të pasohet me llogaridhënie.