Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, këtë të diel, Papa bëri thirrje për t’i dhënë fund armiqësive në Jemen, shprehur shqetësimin për krizën e rëndë humanitare në qytetin Taiz. Papa u lut edhe për viktimat dhe të plagosurit nga atentati në një Kishë ortodokse në Jordani dhe ftoi besimtarët të bashkohen shpirtërisht me udhëheqësit fetarë që do të mblidhen në Asizi për të kremtuar 40-vjetorin e Ditës Botërore të Lutjes për Paqe. Luftërat mbjellin vdekje, por edhe «e varfërojnë dhe e dëmtojnë botën»
Nga dhimbja e popullit jemenas, të etur për ujë e të privuar nga kujdesi shëndetësor, te lutja për viktimat e atentatit në Jordani dhe shpresa që bashkon udhëheqësit fetarë në Asizi. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV ngriti zërin për popujt e plagosur nga luftërat, duke kërkuar ndalimin e armiqësive dhe zgjedhje që hapin udhën e dialogut e të paqes. «Luftërat mbjellin vdekje dhe shkatërrim, e varfërojnë dhe e dëmtojnë botën», kujtoi ai.
Menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën, më 25 tetor, mendimi dhe lutja e Papa Leoni XIV u drejtuan nga popujt që vazhdojnë të jetojnë nën hijen e luftës, atje ku dhuna ua vështirëson përditë jetën dhe shpresa për paqe duket ende e largët. Nga dritarja e Pallatit Apostolik, Leoni XIV shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë humanitare në Jemen, veçanërisht në qytetin Taiz, ku mijëra familje përballen me mungesën e ushqimit, ujit të pijshëm dhe kujdesit mjekësor.
«Bëj një thirrje të përzemërt që të ndalen armiqësitë dhe popullit jemenas, sikurse të gjithë popujve të rajonit, t’u garantohet mundësia për të jetuar në paqe», tha Ati i Shenjtë.
Në Taiz, ku luftimet po përshkallëzohen dhe mungesa e karburantit po bëhet gjithnjë më kërcënuese, rrezikohen edhe sistemet e furnizimit me ujë, të mbështetura nga UNICEF-i. Ato u shërbejnë rreth tre milionë njerëzve, mes tyre të paktën 1,6 milionë fëmijë. Pas shifrave qëndron drama e përditshme e familjeve, për të cilat uji është kthyer në një nevojë që kërkohet me vështirësi, transportohet me mund dhe ndahet pikë-pikë, ndërsa lufta vazhdon të tronditë jetën e tyre. Në këtë realitet të dhimbshëm, thirrja e Papës bëhet zë për ata që rrezikojnë të mbeten të harruar mes zhurmës së armëve.
Jordania, lutja e Papës për viktimat e atentatit
Mendimi i Leoni XIV u ndal edhe në Jordani, ku e premtja e kaluar, më 23 tetor, u shënua nga një sulm terrorist kundër besimtarëve të mbledhur për një funeral në kishën greko-ortodokse të Shën Gjergjit, në Hammoud. Tetë persona humbën jetën dhe 40 të tjerë u plagosën. Përballë kësaj tragjedie, Papa shprehu afërsinë e tij me viktimat, familjet e tyre dhe mbarë bashkësinë e krishterë.
«Siguroj lutjen time për të gjithë ata që u vranë dhe u plagosën të premten e kaluar, në atentatin terrorist kundër besimtarëve të kishës ortodokse të Shën Gjergjit, në Hammoud të Jordanisë. Jam pranë asaj bashkësie dhe mbarë vendit, që dallohet për bashkëjetesën paqësore dhe respektin ndërmjet feve të ndryshme», tha Ati i Shenjtë Prevost.
Përballë dhunës që kërkon të mbjellë frikë e përçarje, përfaqësuesit e bashkësive të krishtera në Jordani kanë ripërtërirë bindjen se bashkëjetesa dhe dialogu ndërfetar nuk duhet të dorëzohen. Përkundrazi, tragjedia duhet të shndërrohet në një arsye më shumë për të forcuar lidhjet me Tokën e Shenjtë dhe për të mbrojtur marrëdhëniet mes besimeve.
«Uniteti do ta zmbrapsë ekstremizmin dhe çdo përpjekje për të mbjellë përçarje e mosmarrëveshje», theksuan ata, duke dëshmuar se përgjigjja ndaj urrejtjes nuk mund të jetë urrejtja, por bashkimi dhe respekti i ndërsjellë.
Asizi, një lutje e përbashkët për një botë të plagosur nga luftërat
Nga Jemeni e Jordania, thirrja e Papës për paqe u shtri deri në Asizi, ku po zhvillohet takimi ndërkombëtar «Paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse», i organizuar nga Komuniteti i Shën Egjidit.
Më 27 tetor, udhëheqës të Kishave dhe përfaqësues të feve të ndryshme do të mblidhen në qytetin e Shën Françeskut për të kujtuar 40-vjetorin e takimit historik të lutjes për paqe, të thirrur më 1986 nga Papa Shën Gjon Pali II. Një takim që, katër dekada më vonë, e ripërtërin thirrjen për të mos u pajtuar kurrë me luftën dhe për të mos e humbur shpresën se paqja është e mundur. Papa Leoni XIV i ftoi besimtarët të bashkohen shpirtërisht me të gjithë ata që janë mbledhur në Asizi dhe të vazhdojnë të luten së bashku për paqen.
«Kurrë më parë nuk ka qenë kaq e qartë se luftërat, përveçse mbjellin vdekje dhe shkatërrim, e varfërojnë dhe e dëmtojnë botën. Zoti i frymëzoftë zgjedhjet e dialogut dhe të paqes!», uroi ai.
Fjalët e Papës rikujtojnë se pasojat e luftërave nuk kufizohen te fushëbetejat. Ato varfërojnë popujt, shkatërrojnë jetën e familjeve, lënë fëmijë pa të ardhme dhe plagosin bashkëjetesën mes njerëzve. Prandaj, paqja nuk është vetëm mungesë e armëve, por një angazhim i përditshëm për dialogun, drejtësinë dhe respektin për dinjitetin e çdo njeriu.
Asizi mirëpret mijëra njerëz, Papa do të dërgojë mesazhin e tij
Për shkak të këshillës së mjekëve, Leoni XIV nuk do të jetë fizikisht i pranishëm në takimin e Asizit, por do t’u dërgojë një mesazh pjesëmarrësve. Ndërkohë, mijëra njerëz nga Evropa dhe kontinente të tjera kanë mbërritur në qytetin e Shën Françeskut, mes tyre edhe shumë të rinj, të bashkuar nga dëshira për të dëshmuar se bota nuk duhet të dorëzohet para konflikteve. Ata përfaqësojnë një popull të paqes, që u jep zë vuajtjeve të atyre që jetojnë mes bombardimeve, frikës dhe pasigurisë.
Programi i takimit përfshin 24 forume, të planifikuara më 26 tetor dhe paraditen e 27 tetorit, kushtuar temave të tilla si paqja, çarmatimi, kriza klimatike dhe mjedisore, migracioni, demokracia dhe solidariteti. Takimi do të përmbyllet pasditen e 27 tetorit në Sheshin e Poshtëm të Bazilikës së Shën Françeskut, në Asizi, me praninë e udhëheqësve fetarë.
Në përfundim të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti shtegtarët dhe grupet e ardhura nga Spanja, Irlanda e Polonia, si edhe përfaqësues të institucioneve italiane, anëtarë të shoqatës «Solidariteti me Duar të Mira» nga Castiglion Fiorentino dhe një grup bashkëmoshatarësh nga Concorezzo, të cilët po kremtonin 70-vjetorin e tyre me një shtegtim në Vatikan.
Mes përshëndetjeve dhe lutjeve të kësaj të diele, mbeti e gjallë thirrja që përshkoi gjithë fjalët e Papës: armët duhet të heshtin, popujt duhet të jetojnë dhe dialogu duhet të hapë udhën drejt paqes./Radio Vatikani