Çfarë bëmë që e humbëm Perëndimin: Rehabilitimi i Beogradit dhe vetizolimi i Prishtinës
Çfarë bëmë që e humbëm Perëndimin: Rehabilitimi i Beogradit dhe vetizolimi i Prishtinës 29.09.2026 | 15:05
Shkruan: Adri Nurellari
 
Vetëm pak ditë më parë, në Nju Jork, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë ta thellojnë partneritetin strategjik me Serbinë dhe se administrata Trump tashmë ka ndërmarrë hapa për t’i afruar marrëdhëniet mes dy vendeve. Rubio madje shprehu dëshirën për të vizituar Beogradin. Deklarata nuk mund të konsiderohet një mirësjellje diplomatike e rastit sepse, dy muaj më herët, Uashingtoni dhe Beogradi kishin hapur zyrtarisht Dialogun e tyre të parë Strategjik, duke institucionalizuar një afrim që ishte përgatitur prej vitesh.
 
Koha kur Rubio zgjodhi të fliste për këtë afrim e bën tablonë edhe më alarmuese për ne. Vetëm disa javë më parë, Ratko Mladiqi, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ishte përcjellë në Beograd me nderime shtetërore. Trupi i arkitektit të masakrës më tragjike të Evropës së pasluftës botërore u kthye nga Haga me avion të qeverisë serbe, arkivoli ishte mbuluar me flamurin kombëtar dhe në ceremonitë e përcjelljes morën pjesë përfaqësues institucionalë. Bashkimi Evropian dhe SHBA-të formalisht e dënuan glorifikimin, por kjo nuk prodhoi ndonjë kthesë të dukshme në marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin.
 
Në të njëjtën kohë, udhëheqësit kryesorë politikë të UÇK-së kanë marrë dënime drakoniane duke shkaktuar një tronditje të jashtëzakonshme në mbarë hapësirën shqiptare, por jehona ndërkombëtare e verdiktit mbeti çuditërisht e kufizuar. Përtej raportimit të lajmit dhe disa deklaratave zyrtare që kryesisht ritheksuan mbështetjen për procesin gjyqësor, nuk pati ndonjë debat të madh ndërkombëtar mbi kohëzgjatjen absurde të paraburgimit, natyrën abuzive kolektive e aktgjykimit, shkeljet e panumërta procedurale, tendenciozitetin dhe mungesën e standardeve, apo pasojat që verdikti mund të ketë për interpretimin historik të luftës së Kosovës dhe përfshirjes perëndimore në të. Reagimet e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, për shembull, u përqendruan kryesisht te respektimi i pavarësisë së gjykatës, përgjegjësia individuale dhe fakti se aktgjykimi nuk ishte një gjykim ndaj UÇK-së apo shtetësisë së Kosovës.
 
27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova gjendet në sfidën për të mbrojtur heronjtë e saj të gjallë, duke shpjeguar përsëri para botës karakterin e luftës së saj çlirimtare, në një kohë kur Serbia ka arritur të riparojë e rindërtojë një pjesë të konsiderueshme të pozicionit së saj në Perëndim. Dialogu Strategjik që SHBA-të kishin planifikuar me Kosovën është pezulluar, duke shënuar një përkeqësim të prekshëm në një marrëdhënie që për dekada ishte aseti më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Në Evropë, situata është po aq shqetësuese. Kosova aplikoi në dhjetor 2022 por pothuajse katër vjet më vonë vazhdon të mos ketë marrë as statusin e vendit kandidat, ndërkohë që fqinjët janë prej kohësh në negociata. Pra jemi duke u përballur me një paradoksi të dhimbshëm me Serbinë që rikthehet me peshë në qendër të llogarive strategjike perëndimore, ndërsa Kosova po rrëshqet drejt periferisë së tyre. Të merremi vesh, Kosova nuk e ka humbur plotësisht Perëndimin sepse prania e NATO-s dhe njohja e paprekshme e sovranitetit të saj nga fuqitë kryesore e demonstrojnë këtë fakt. Por ajo ka humbur diçka po aq kritike; prioritetin strategjik dhe simpatinë e pakushtëzuar që ka pas gëzuar.
 
Sinjali aktual gjeopolitik është i pagabueshëm; përderisa Beogradi e normalizon të kaluarën e tij kriminale duke zgjeruar hapësirën e manovrimit diplomatik me Perëndimin, Prishtina mbetet e mbërthyer në një pozicion mbrojtës, duke u përpjekur të rithemelojë legjitimitetin historik të vetë luftës së saj çlirimtare. Pikërisht këtu fillon pyetja që duhet të na shqetësojë: si përfundoi projekti më i suksesshëm i ndërhyrjes liberale perëndimore në një marrëdhënie funksionalisht të ngrirë, transaksionale dhe shpeshherë haptazi jofunksionale me aleatët e tij ekzistencialë? Çfarë ndodhi gjatë këtyre viteve me kapitalin politik, moral dhe diplomatik që shqiptarët kishin në Uashington dhe në kryeqytetet kryesore evropiane?
 
Kjo asimetri nuk mund të shpjegohet me konceptin e thjeshtëzuar të tradhtisë perëndimore apo me luhatjet e një administrate të caktuar në Shtëpinë e Bardhë, por kërkon një autopsi të ftohtë politike. Përgjigjja më e lehtë e naive do të ishte që këtë ndryshim t'ia atribuojmë ekskluzivisht administratës Trump, ndryshimit të prioriteteve amerikane ose pragmatizmit gjithnjë e më të madh të politikës së jashtme perëndimore. Këto elemente kanë rëndësi, por duhet pranuar që procesi ka filluar shumë më herët. Madje që gjatë administratës Biden, Uashingtoni kishte nisur të diskutonte ngritjen e marrëdhënieve me Beogradin në nivelin e një dialogu strategjik. Afrimi i Serbisë me Shtetet e Bashkuara, rikthimi i Beogradit si partner i rëndësishëm për kryeqytetet evropiane dhe konsumimi gradual i kredibilitetit diplomatik të Kosovës janë procese që shtrihen përgjatë disa administratave amerikane dhe disa qeverive në Prishtinë.
 
Pikërisht për këtë arsye, përpara se të pyesim se çfarë ndryshoi Perëndimi ndaj nesh, duhet të kemi kurajën të pyesim se çfarë ndryshuam ne në marrëdhënien tonë me Perëndimin. Kjo kërkon një vetëreflektim të ndershëm e kurajoz, jo për të shpërndarë faj apo për të justifikuar padrejtësitë, por për të kuptuar gabimet, për të nxjerrë mësimet dhe, mbi të gjitha, për të bërë ndryshimet e nevojshme në mënyrë që të forcojmë pozitat ndërkombëtare të Kosovës dhe kombit shqiptar. Kapitali i jashtëzakonshëm politik, moral dhe diplomatik që Kosova kishte në Perëndim nuk u konsumua brenda natës. Ai u gërrye përmes një vargu krizash të panevojshme, vendimesh të pakoordinuara dhe konfliktesh me partnerët, të cilat, të marra veçmas, mund të dukeshin të menaxhueshme, por së bashku dëmtuan besueshmërinë dhe respektin e partnerëve për Kosovën.
 
Tensionet, përplasjet dhe gabimet që kanë kontribuar në këtë erozion janë të shumta dhe vlen të përmenden, jo për të hartuar një inventar fajesh, por sepse tregojnë se humbja e kapitalit diplomatik nuk ndodhi rastësisht brenda natës. Para se të kërkojmë kurën për marrëdhënien e Kosovës me Perëndimin, duhet të bëjmë diagnozën; dhe çdo diagnozë serioze fillon me anamnezën e asaj që shkoi keq.
 
Një nga goditjet e para serioze ndaj imazhit të Kosovës erdhi me përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm fetar dhe largimin e qindra qytetarëve drejt Sirisë dhe Irakut. Fenomeni nisi të bëhej i dukshëm rreth vitit 2012 dhe arriti kulmin gjatë viteve 2013–14, kur Kosova u rendit ndër vendet me numrin më të lartë të luftëtarëve të huaj për frymë. Për një shtet të vogël që e kishte ndërtuar një pjesë të rëndësishme të kapitalit të vet ndërkombëtar mbi orientimin e fortë proamerikan dhe properëndimor, ky ishte një problem jo vetëm sigurie, por edhe reputacioni. Kosova më pas reagoi me legjislacion, operacione policore, bashkëpunim ndërkombëtar dhe programe rehabilitimi e riintegrimi, duke arritur ta frenonte ndjeshëm fenomenin, por dëmi fillestar mbi imazhin e saj tashmë ishte krijuar.
 
Poashtu, zvarritja e demarkacionit me Malin e Zi, e shoqëruar me gaz lotsjellës, dhunë dhe polarizim, ngriti dyshime mbi aftësinë e Kosovës për të respektuar marrëveshjet dhe për të ndihmuar stabilitetin rajonal në kohën kur Rusia komplotonte kundër hyrjes së Podgoricës në NATO . Ngjashëm, reagimi i paqartë dhe hezitues i institucioneve të Kosovës ndaj ngjarjeve të rënda të Kumanovës krijoi pikëpyetje të panevojshme te partnerët perëndimorë. Ndonëse Kosova nuk ishte palë në konflikt, përfshirja e disa shtetasve të saj në grupin e armatosur dobësoi imazhin e Kosovës si faktor i padiskutueshëm stabiliteti rajonal. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme në atë moment sepse Uashingtoni dhe aleatët evropianë po përpiqeshin ta çonin Maqedoninë drejt NATO-s, ndërsa një konflikt i ri ndëretnik mund ta destabilizonte vendin dhe ta bllokonte fare këtë proces.
 
Një tjetër problem që filloi herët dhe u përsërit përgjatë viteve ishte hendeku midis marrëveshjeve të pranuara në dialog dhe zbatimit të tyre.
 
Nënshkrimi i marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 (sikurse vijoi edhe me marrëveshjen e Ohrit në 2023) , dhe më pas kundërshtimi apo zvarritja e zbatimit të tyre, veçanërisht për Asociacionin, pa propozuar gjithmonë alternativa bindëse brenda frymës kushtetuese, filloi ta dëmtonte perceptimin e Kosovës si partner i besueshëm kontraktual. Më pas, tarifa 100% ndaj mallrave serbe, pavarësisht motivit sovranist dhe fushatës së Beogradit kundër Kosovës, u vendos pa koordinim me aleatët, bllokoi dialogun dhe solli pasoja në mbështetjen financiare dhe bashkëpunimin e sigurisë me amerikanët. Edhe në këtë rast, një problem real që Kosova kishte me Serbinë përfundoi duke prodhuar një problem paralel në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të
 
Konfrontimet me partnerët u rikthyen me forcë për veriun, nga viti 2022, fillimisht rreth targave dhe më pas, në pranverën e 2023, pas zgjedhjeve të bojkotuara nga serbët dhe vendosjes së kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale. Pikërisht këtu përplasja me aleatët mori një dimension të ri ku Uashingtoni dhe Brukseli kërkuan shtensionim dhe koordinim. Mirëpo vazhdimi i veprimeve të Prishtinës kundër këshillave të tyre zhvendosi një pjesë të presionit ndërkombëtar mbi Kosovën dhe solli, në qershor 2023 sanksionimin prej BE-s. Përplasjet vazhduan më pas me mënyrën e zbatimit të rregullores për dinarin, mbylljen e strukturave paralele serbe dhe veprime të tjera në veri. Edhe kur synimi (shtrirja e sovranitetit dhe zbatimi i rendit kushtetues) ishte legjitim, mënyra e njëanshme dhe mungesa e koordinimit me aleatët prodhuan një kosto diplomatike të panevojshme, duke i dhënë Beogradit mundësinë që, pavarësisht sulmit të rëndë të Banjskës dhe veprimeve të tjera destabilizuese, ta zhvendoste vazhdimisht vëmendjen ndërkombëtare nga sjellja e Serbisë te përplasjet e Kosovës me partnerët e saj.
 
Këtu duhen shtuar kritikat e hapura, linçimet mediatike dhe etiketimet primitive ndaj emisarëve perëndimorë (Blinkenit, Lajçakut, Borrellit, emisarëve amerikanë dhe kancelarive të tjera evropiane) të cilat nuk ishin shfaqje sovraniteti, por akte papjekurie që i shkaktuan Kosovës dëm të drejtpërdrejtë duke thyer rregullin themelor të diplomacisë. Në vend që pakënaqësitë të adresoheshin në kanale të mbyllura me profesionalizëm, udhëheqja kosovare zgjodhi spektaklin populist dhe përplasjen publike, duke arritur rezultatin më absurd të mundshëm. Këto sulme nuk ndryshuan politikat e tyre, por e bënë më të vështirë marrëdhënien me njerëzit dhe institucionet prej të cilëve Kosova kërkonte mbështetje. Në diplomaci, sidomos për një shtet të vogël, ndikimi nuk varet vetëm nga drejtësia e argumentit, por edhe nga besimi, aksesi dhe aftësia për të krijuar aleatë brenda administratave të huaja. Dhe këtu pasoja diplomatike ishte veçanërisht vetë-shkatërruese sepse ndonëse Kosova kishte argumente shumë të forta kundër Serbisë këtë avantazh e konsumoi vetë duke hapur njëkohësisht konflikte me ndërmjetësuesit perëndimorë. Në këtë mënyrë e zhvendosi vëmendjen ndërkombëtare nga agresiviteti i Serbisë te sjellja e Kosovës dhe e ndihmoi Beogradin të shfaqej si palë më e përmbajtur dhe konstruktive.
 
Mbi të gjitha, problemi nuk ishte vetëm mënyra se si Kosova e menaxhoi marrëdhënien me aleatët, por edhe sa pak arriti ta thellonte lidhjen me Perëndimin përmes transformimit të vet të brendshëm. Reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e institucioneve, ndërtimin e një ekonomie tregu funksionale dhe garantimin e të drejtave të njeriut e të pakicave nuk ecën me intensitetin që kërkonte ambicia euroatlantike e vendit. Këto nuk janë thjesht kërkesa burokratike të Brukselit, por pjesë themelore e kritereve të Kopenhagës dhe burim i fuqisë politike të një shteti që kërkon të bëhet pjesë e Perëndimit. Kosova duhej, jo vetëm të kërkonte mbrojtjen e këtij komuniteti, por të bëhej pjesë organike e tij; të sillej si një vend që nuk po troket më në derën e Perëndimit, por po ndërton të njëjtin model politik brenda vetes. Sa më pak që një vend mishëron standardet perëndimore, aq më e lehtë bëhet për burokracitë perëndimore ta trajtojnë si problem periferik dhe monedhë shkëmbimi.
 
Pra nuk mjafton që Kosova ta konsiderojë veten pjesë të Perëndimit por duhej ta bënte Perëndimin ta konsideronte Kosovën pjesë të vetes.
 
Në themel të shumë prej këtyre gabimeve nevralgjike qëndroi edhe bindja se kapitali i vitit 1999 ishte pothuajse i pashtershëm dhe se Perëndimi i detyrohej Kosovës një mbështetje të përhershme e të pakushtëzuar. Por aleancat nuk mirëmbahen vetëm me kujtesën historike; ato duhen ripërtërirë vazhdimisht përmes relevancës gjeostrategjike, diplomacisë proaktive, lobimit profesional, institucioneve të besueshme dhe sjelljes së parashikueshme ndaj partnerëve. Një pjesë të peshës e besueshmërisë sonë e konsumuam pikërisht duke bërë të kundërtën me kriza të panevojshme me aleatët, vendime të pakoordinuara, marrëveshje të pazbatuara, përplasje publike me partnerët dhe reforma të brendshme të papërfunduara. Në rrjedhën e viteve, këto tretën besimin dhe gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën pa rezerva. Serbia do të vazhdojë të ndjekë interesat e saj, fuqitë perëndimore do të ndryshojnë prioritetet e tyre dhe rendi ndërkombëtar do të bëhet gjithnjë e më pak sentimental. Përgjigjja nuk mund të jetë ankesa se Perëndimi ka ndryshuar, por të kuptojmë si funksionon ndikimi dhe ta bëjmë Kosovën përsëri të rëndësishme për interesat, sigurinë dhe vlerat e aleatëve të saj.
 
Historia na dha një pozitë të jashtëzakonshme; politika duhet ta ruajë, ta ripërtërijë dhe ta shumëfishojë. Njëkohësisht, Prishtina nënvlerësoi tërësisht betejën e narrativave ndërkombëtare. Përderisa Beogradi investoi dhjetëra miliona euro në rrjete lobimi, institute akademike, botime të huaja dhe arkiva për të relativizuar fajësinë e viteve ’90, institucionet e Kosovës nuk arritën të ngrinin asnjë institut të vetëm kërkimor me peshë ndërkombëtare për dokumentimin e krimeve të luftës. Shteti nuk ndërtoi një infrastrukturë ligjore dhe shkencore për të mbrojtur narrativën e luftës çlirimtare, duke lënë një boshllëk faktik që u mbush lehtësisht nga trillimet e Beogradit dhe proceset gjyqësore të mekanizmave ndërkombëtarë.
Një keqkuptim tjetër i yni, ka qenë se politikën e jashtme të Kosovës e kemi trajtuar shpesh si vazhdim të luftës së brendshme politike. Shërbimi diplomatik u shfrytëzua shpesh si instrument shpërblimi klientelist partiak, në vend që të ngrihej një trupë e përhershme diplomatësh dhe analistësh të aftë për të negociuar me qendrat kryesore të vendimmarrjes perëndimore. Marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin e kemi përdorur si kapital elektoral; domethënë kur raportet kanë qenë të mira, pushteti i radhës i ka paraqitur si meritë të vetën; kur janë përkeqësuar, opozita i ka përdorur si provë të dështimit të qeverisë, duke krijuar iluzionin se çdo rotacion politik do të sillte edhe një fillim të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por partnerët tanë nuk e shohin Kosovën përmes cikleve tona elektorale. Ata shohin shtetin dhe vazhdimësinë e sjelljes së papërshtatshme të tij : marrëveshje që mbeten problem, reforma që zvarriten, kriza që përsëriten dhe vështirësi koordinimi që rikthehen pavarësisht se kush qeveris. Ne në Prishtinë i ndajmë gabimet sipas partive dhe mandateve por partnerët tanë i regjistrojnë si gabime të Kosovës. Në Prishtinë ndryshojnë qeveritë, fajtorët dhe justifikimet; në kryeqytetet perëndimore dosja e Kosovës vazhdon aty ku ishte lënë. Prandaj marrëdhënia me Perëndimin nuk mund të jetë kapital elektoral i asnjë partie, por interes shtetëror e kombëtar që kërkon konsensus, disiplinë dhe vazhdimësi përtej çdo rotacioni pushteti.
 
Ky bilanc vetëreflektues nuk justifikon padrejtësitë, standardet e dyfishta apo një proces gjyqësor në Hagë që ngre pikëpyetje serioze, dhe as nuk e zhvendos përgjegjësinë nga ata që mund të kenë shkelur standardet juridike për të njollosur luftën tonë çlirimtare. Por viktimizimi nuk korrigjon asnjë padrejtësi dhe, mbi të gjitha, nuk prodhon fuqi diplomatike. Një shtet serioz duhet të kuptojë jo vetëm kush i ka bërë padrejtësi, por edhe si funksionon kredibiliteti, si ndërtohen aleancat dhe si bëhet vetja e rëndësishme për të tjerët. Ndërsa Beogradi dhe Banja Luka shpenzojnë miliona për lobim dhe ndikim në Uashington, Kosova sot është zhdukur nga regjistrat e FARA-s, pikërisht aty ku mund të matet se kush investon për t’u dëgjuar. Për Kosovën kjo është çështje ekzistenciale, sepse nuk kemi një plan B strategjik: siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë politike janë të lidhura me botën euroatlantike. Prandaj sfida nuk është të presim që Perëndimi të na mbështesë përjetësisht për atë që ndodhi më 1999, por ta bëjmë Kosovën të rëndësishme për atë që do të ndodhë nesër.
 
Kjo kërkon një strategji shumë më konkrete se retorika sipërfaqësore properëndimore. Kosova duhet të rindërtojë praninë e saj në Uashington, Bruksel, Londër, Berlin e Paris përmes diplomacisë profesionale, lobimit të përhershëm dhe rrjeteve me Kongresin, parlamentet, administratat, partitë, universitetet, institutet kërkimore dhe mediat; të përdorë diasporën si burim ndikimi dhe jo vetëm si burim remitancash e votash; të investojë në arkiva, kërkim dhe diplomaci publike që historia e Kosovës të mos mbrohet vetëm kur vihet në diskutim; të koordinojë me aleatët përpara krizave, jo pasi ato shpërthejnë; dhe të përfundojë reformat që e bëjnë Kosovën të besueshme pikërisht sipas standardeve të komunitetit ku kërkon të integrohet. Mbi të gjitha, duhet të gjejë mënyra për të qenë e dobishme për agjendën e sotme perëndimore; në sigurinë rajonale, mbrojtjen, energjinë, teknologjinë dhe rezistencën ndaj ndikimeve autoritare. Një vend i vogël nuk mund ta imponojë rëndësinë e tij por duhet ta ndërtojë atë.
 
Në fund, mësimi duhet të jetë më i madh se bilanci i gabimeve të veçanta por vetëdijesim e mobilizim për reagim institucional nga Prishtina zyrtare në bashkëpunim të ngushtë me Tiranën. Konsumimi i besueshmërisë ndaj aleatëve, mungesa e reformimit të brendshëm, dështimi për ta rinovuar relevancën strategjike dhe humbja e betejës së narrativave tregojnë se marrëdhënia me Perëndimin nuk mund të lihet më në mëshirën e improvizimit politik dhe cikleve elektorale. Kosovës i duhet një konsensus i ri kombëtar që e trajton aleancën me Perëndimin si interes strategjik të përhershëm të shtetit, përtej partive, qeverive dhe mandateve. Historia na dha një pozitë të privilegjuar në Perëndim; sfida e brezit tonë është të krijojë arsyet politike, strategjike dhe morale që Perëndimi të vazhdojë të investojë te Kosova edhe nesër./Nacionale
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave