Clark, gjeneral i paqes dhe humanizmit
Clark, gjeneral i paqes dhe humanizmit 31.10.2025 | 15:03
Nga: Arif Ejupi
 
Në historinë moderne të Kosovës, pak emra ngjallin aq shumë respekt dhe ndjenjë mirënjohjeje sa ai i gjeneral Wesley K. Clark – njeriut që udhëhoqi me urtësi, guxim dhe përkushtim ndërhyrjen humanitare të NATO-s, në pranverën e vitit 1999.
 
Clark si Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, në Evropë, udhëhoqi operacionin që i dha fund një regjimi shtypës, ndaloi masakrat e përgjakshme dhe i hapi rrugën lirisë së një populli të tërë.
 
Falë vizionit të tij strategjik dhe humanizmit të thellë, u shpëtuan qindra mijëra jetë njerëzish, ndërsa mbi një milion të shpërngulur u kthyen në shtëpitë e tyre.
 
Populli i Kosovës e ruan emrin e tij me nderim të përjetshëm. Clark kudo njihet si gjenerali që solli paqen dhe u bë simbol i ndërhyrjes së drejtë kundër shtypjes së shqiptarëve nga regjimi gjakatar i Millosheviqit.
 
Gjenerali Wesley Kanne Clark lindi më 23 dhjetor 1944 në Çikago. Në moshë të re u dallua për disiplinë, zgjuarsi dhe pasion për dijen. Në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara – West Point, u diplomua më 1966, me rezultate të larta.
 
Më pas, si bursist i famshëm Rhodes Scholar, studioi filozofi, politikë dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit.
 
Karrierën ushtarake e nisi në Vietnam, ku tregoi heroizëm të rrallë dhe u plagos rëndë në betejë, por në asnjë mënyrë nuk i braktisi ushtarët e tij.
 
Pas kthimit në SHBA u emërua në detyra të larta strategjike në Pentagon dhe në Këshillin e Përbashkët të Shtabeve, ku kontribuoi në zhvillimin e politikave ushtarake amerikane dhe planeve të paqes ndërkombëtare.
 
Kurse në vitin 1994 iu besua detyra e Drejtorit të Planeve Strategjike dhe Politikave të Pentagonit, e në vitin 1997 mori komandën më të lartë të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Evropë.
 
Në këtë post historik, gjenerali Clark dëshmoi se forca e një ushtaraku nuk është arma, por humanizmi.
 
Ai drejtoi fushatën ajrore të NATO-s, kundër Serbisë jo si luftë kundër një populli, por si ndërhyrje për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga shfarosja.
 
Pas 38 vjetësh shërbimi të lavdishëm, u pensionua me gradën më të lartë të ushtrisë amerikane – Gjeneral me katër yje, duke lënë pas një trashëgimi të ndritur në shërbim të paqes dhe njerëzimit.
 
Pas luftës, Gjenerali Clark vizitoi disa herë Kosovën, ku u prit me nderime të larta nga udhëheqësit e saj.
 
Sidomos ra në sy dashuria dhe respekti nga populli. Clark asnjëherë nuk shihet si i huaj, por si mik i shtëpisë, si një figurë e afërt që i flet çdo zemre shqiptare me gjuhën e mirësisë dhe të drejtësisë.
 
Në çdo fshat e qytet të Kosovës, edhe sot emri i tij përmendet me respekt të thellë dhe me ndjenjë përmallimi. Ai mbetet shembulli i një ushtaraku që luftoi jo për lavdi e pushtet, por për paqe, humanizëm dhe barazi.
 
Sot, kur Kosova ecë drejt integrimeve euroatlantike, gjeneralin Clark secili shqiptar e kujton me kënaqësi dhe mirënjohje deri në përkulje.
 
Faleminderit, Gjeneral Clark , për paqen, humanizmin dhe lirinë që na sollët! Zoti u bekoftë Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës !/ Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave