Dilema e madhe e votuesit kosovar më 7 qershor
Dilema e madhe e votuesit kosovar më 7 qershor 03.06.2026 | 03:31
Shenoll Muharremi
 
Ka kohë e vite që LVV-në e kam fshi me rrotë të traktorit sa i përket votës time. Më 2021 i votova për ndryshime pozitive e për atë që kishin premtuar me vite. Po krejt çka morëm prej tyre është dëshpërim. LVV e Albin Kurti nga shpresa u kthyen në xhelatë.
 
Në vend të demokracisë e prosperitetit, ata sollën më shumë varfëri, kapje të institucioneve publike të pavarura me partiakë, e gjithashtu e shkatëruan ekonominë dhe i lënduan seriozisht marrëdhëniet me aleatët, hisedarët e lirisë e pavarësisë dhe ata që sponsorizojnë sovranitetin e Kosovës.
 
Albin Kurti tregoi një pasion të paparë për kontroll total të shtetit dhe të gjitha institucioneve, thua se ka lindur e është rritur në Rusinë Sovjetike të revolucionit të 1917 e jo në këtë kënd të bukur të Europës. E pjesëtarët e LVV-së dhe deputetët e tyre demonstruan që janë vetëm kukulla, asgjë më shumë.
 
Derisa kjo parti të reformohet mirë e mirë e mirë… e ndoshta edhe Kurti të jetojë në Norvegji te familja e vajza e tij, nuk e ka më votën.
 
Sa i përket partive kryesore opozitare, periudhën e fundit patëm një karakterizim me disa anomali të paimagjinueshme më parë.
 
Njëra prej tyre, LDK, bëri disa çmenduri që askush nuk i kishte imagjinuar. Kryetari i tyre me një grup të vogël kishin bërë një marrëveshje të turpshme ku thua se e kishin Privatizuar LDK-në.
 
Ata pranuan një grup nga ish-satelitët e LVV-së dhe i vendosën në top 10-shen e parë të listës së tyre për deputetë. E njerëzit më meritorë, ata që ruajnë nderin, kredibilitetin dhe standardet më të larta politike për partinë, i hodhën poshtë. Me këtë akt, ky lidership e menaxhment e humbi pakthyeshëm kredibilitetin politik. Dhe nuk ka si të ju besojë njeriu këtyre.
 
Nëse ata i largojnë dhe tentojnë të i poshtërojnë nënën, vëllanë, motrën e baballarët e partisë me prostituta politike, ata janë në gjendje të bëjnë edhe më zi nëse vijnë në pushtet.
 
Pra, nuk ndryshohet një e keqe (LVV) me një të keqe tjetër (menaxhmentin aktual të LDK-së). Kjo nënkupton që kjo parti aktualisht, me këta njerëz që e drejtojnë, nuk e ka më votën time. Derisa të ketë ndryshime cilësore në drejtimin e partisë, nuk i besoj më kësaj partie. Ata kanë humbur respektin dhe besimin tim.
 
E PDK, partia më e madhe opozitare, gjithashtu pati momente negative të pariparueshme. Pas një provokimi sistematik afatgjatë, kryetari i Skenderajt nga PDK ushtroi dhunë ndaj aktivistit të LVV-së në Skenderaj dhe e hospitalizoi.
 
PDK si parti dështoi ta dënojë dhunën politike. E kur nuk e dënon dhunën politike, ti e arsyeton dhe e lejon indirekt. Rrjedhimisht, dhuna është cikël; kur nuk dënohet, edhe mund të përsëritet padyshim. Këtu menaxhmenti i PDK-së tregoi që nuk është i gatshëm, kur janë në pyetje të fortit e partisë, të bëjë atë që duhet. Dhe me këtë ra në provim.
 
Aktualisht, kemi dy-tri opsione tjera për të votuar, por që nuk kanë shumë siguri afatgjatë. Janë AAK, PSD dhe pakicat kombëtare.
 
PSD ndoshta kishte qenë opsioni më i mirë aktualisht, edhe për t’i ndëshkuar tri partitë e mëdha, por ata kanë një problem të madh. Në vend se të garojnë kundër atyre që menaxhojnë paranë publike qe gjashtë vite, ata po i sulmojnë ata që nuk menaxhojnë asgjë.
 
Dhe kjo është një strategji e hidhur që të pamundëson ta përkrahësh një strategji të tillë. Sikur PSD ta drejtonte fushatën kundër pushtetit dhe të kishte së paku 40 propozime, jo vetëm gjashtë, kishte qenë parti me potencial të mirë për votë, pasi që kishte sjellë risi.
 
AAK me siguri është partia e vetme nga katërshi (LVV, PDK, LDK dhe AAK) që ende nuk ka dëshpëruar këtë fushatë. Në fakt, është partia e vetme që ka bërë ndryshime pozitive. Komandant Ramush Haradinaj u tërhoq për t’ia liruar vendin e parë Ardian Gjinit, një person me eksperiencë të gjatë dhe që mund ta ndihmojë vendin edhe me politika publike dhe diplomaci të matur.
 
E në AAK gjithashtu është kthyer Avni Arifi e Burim Ramadani po rigaron. Në anën tjetër, Besnik Tahiri ka qenë deputeti më i mirë në Legjislaturën e X-të dhe që mbase më së shumti i ka luftuar fenomenet negative gjatë legjislaturës jetëshkurtër. Po e përcjellim punën e AAK-së; duhen vetëm edhe disa siguresa dhe avancim i reformave strukturore që kjo parti t’i konfirmojë ndryshimet pozitive.
 
E sa i përket pakicave, në raste si kjo, ku dështojnë shumica e partive shqiptare kosovare, ato kishin me qenë një zgjedhje natyrale. Si ndëshkim për t’i edukuar partitë kryesore, voton një parti të pakicave. Ky kishte me qenë një kurs logjik ndoshta për të vepruar. Por edhe në këtë rast, kemi parë si partitë e pakicave janë instrumentalizuar nga partitë e mëdha, sidomos nga LVV vitet e fundit. Pra, nëse voton një parti të pakicës, ti ia dërgon votën LVV-së ndoshta.
….
Kështu, qytetari mund edhe të jetë në telashe me zgjedhjet e 7 qershorit. Sigurisht që personalisht jam në telashe serioze si kurrë më parë sa i përket vendimmarrjes për votë.
 
Në një kontekst shumë negativ dhe dëshpërues, e ku patjetër duhet të votohet, vendimmarrja bëhet gjithmonë e më e vështirë për shkak të kontradiktave dhe negativiteteve nga partitë kryesore.
 
Në këtë rast, me siguri duhet aplikuar metodën e eliminimit. E në këtë rast, sigurisht që LVV eliminohet e para dhe me shumë distancë. E pastaj do t’i eliminoj për zgjedhjet e 7 qershorit edhe LDK e PDK.
 
Zgjedhja përfundimtare do të jetë nëse të votoj një nga partitë e mbetura, apo edhe të vendosi një X të madh në vetëvotim ku edhe demonstrohet dëshpërimi dhe pakënaqësia ndaj të bëmave, qëndrimeve e veprimeve të gabuara e, në raste, mosveprimeve nga partitë kryesore politike.
 
E kjo pastaj më mundëson një rishikim në zgjedhjet e dyta eventuale të 2026-s, se këta njerëz jo vetëm që nuk bashkëpunojnë, por janë bërë gjeneratorë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Në krejt këtë, politika kosovare po degradon, e qytetari dhe bizneset kosovare po humbin e gjunjëzohen.
 
Por asgjë e mbrapshtë, njësoj si pozitivja, nuk zgjat përgjithmonë. Edhe ky episod i mbrapshtë dhe i errët me zgjedhjet e 7 qershorit do të përfundojë dhe do të kemi raste tjera për të korrigjuar gjithçka./Paparaci
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave