Nga Gani Mehmetaj
1.Mëngjesin kur e kaluam urën e Prishtinës, nga shiriti që vinte nga Mitrovica, “mbiu” një përzierëse betoni, me shpejtësi të pazakonshme. E di që makina jonë e blinduar, e rëndë sa një tank, u hepua në të majtë. Brinjët me theren. Sapo dola nga makina, dikush urdhëroi të futesha brenda. Dhe u nisëm 160 kilometra në orë.
Dikush tha se pati përpjekje për atentat në Rugovën, por xhipi i tij i blinduar iu shmang ndeshjes. Kjo ishte e papritura e parë.
2.Kur niseshim në terren, në fushatën zgjedhore, bëheshim gati si për luftë. Nga selia e Lidhjes Demokratike të parët niseshin njësiti special anti terror me emblema të SHBA-ve me njërin nga anëtarët e kryesisë së LDK-së brenda. Prapa tyre ishte policia gjermane me makinën e tyre të blinduar, ku shihej Nekibe Kelmendi (dy djemtë dhe burrin ia kishin pushkatuar polica serbe), por prapë e kërcënonin grupet e organizuara kriminale.
Presidenti Rugova dhe kryesia e LDK-së ishte më të ruajturit në Evropë. E megjithatë pati disa atentate.
Mua me dërgonin nga selia e LDK-së të selia presidenciale e Rugovës, nga ku niseshin prapa eskortës së parë. Nuk e di se si e bënin renditjen: një ditë ishte xhipi i presidentit Rugova para meje, herën tjetër xhipi ku isha unë para. Nga korridori i presidencës futeshim drejtë në makinë. Pos meje me duket se të gjithë brenda kishin lloje të ndryshme armësh. Uzi Izraelite ishte më i përhapuri.
Shpejtësia me të cilën lëviznim rrugëve ishte marramendëse. Çdo ditë na pillte ndonjë bela, siç do të thoshte gjyshja ime. Një herë grupe të paidentifikuara e provokonin eskortën (në Deçan), por shpejt zhdukeshin në turmë kur e shihnin njësitin e KFOR-it. Atë ditë presidenti Rugova e zbuloi shtatorja e Salih Çekut. Herën tjetër, (Klinë) në turmë shkrepte dikush me armë. Ndonjëherë kishte pengesa të stisura në trafik.
Po në Skenderaj pse nuk shkuam? Na kishin dërguar “selam” se do të na prinin me gulinov./Bota Sot