Legjenda e përkrenares së Skënderbeut: Dhurata e nënës arbërore që u bë simbol i kombit dhe i krenarisë
Legjenda e përkrenares së Skënderbeut: Dhurata e nënës arbërore që u bë simbol i kombit dhe i krenarisë 27.10.2026 | 03:08
Nga: Gjon Keka 
 
Historiografia e një kombi nuk shkruhet vetëm me bojën e dokumenteve zyrtare apo me gjakun e fushëbetejave; ajo frymëzohet dhe merr jetë mbi të gjitha në shpirtin e miteve dhe legjendave që trashëgohen brez pas brezi. Këto rrëfime gojëdhënash mbartin kodin gjenetik të vlerave tona më të pastra. Ndër to, epoka e Kryezotit të Arbërisë, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), shfaqet jo vetëm si një epokë triumfesh ushtarake, por si një epope e madhe humanizmi dhe uniteti shpirtëror. Në mesin e shumë legjendave mbi kryeheroin tonë, ajo e nënës arbërore mbetet një nga më mbresëlënëset dhe më të dashurat. Kjo histori përmbledh më së miri bujarinë dhe zemrën e madhe të nënës arbërore, duke treguar se si ajo i përkundi brezat në emër të lirisë. Ajo e vlerësonte lart ardhjen e Gjergj Kastriotit dhe udhëheqjen e tij, aq sa ishte e gatshme t'i falte gjënë e fundit që i kishte mbetur.
 
Kjo dhuratë dëshmon dashurinë e saj të pafundme për Lirinë, Arbërinë dhe për kryetrimin aq të dashur nga populli i vet.
 
Kështu, në analet e historisë dhe në kujtesën shpirtërore të popullit arbëror, figura e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) nuk ndriçon vetëm përmes shpatave të mprehta dhe betejave të përgjakshme, por edhe përmes lidhjes së ngushtë e mistike që ai kishte me njerëzit e thjeshtë të Arbërisë. Ndër legjendat e shumta që koha ka thurur rreth Kryetrimit, ajo e takimit me nënën plakë në malet e mbuluara nga dëbora shpërfaq një prej mesazheve më prekëse të dashurisë për atdheun, ku sakrifica merr përmasa hyjnore.
 
Pikërisht nga kjo dashuri e pastër buron edhe e gjithë madhështia e kësaj historie. Në vargjet e poemës, kjo nënë plakë nuk shfaqet thjesht si një grua e thyer nga mosha, por si vetë simboli i gjallë i tokës arbërore. Ajo jeton e vetme në një kasolle të varfër në male, e zhveshur nga çdo pasuri materiale, siç përshkruhet edhe në vargje:
 
"Kjo e shkretë jetonte në vetmi,
se nuk kishte as vajzë, as djalë,
as burrë, as gjini,
se të gjithë iu ishin vrarë
të shtrenjtës Nënë plakë —
Për Nënën ARBNI (SHQIPNI)
Dëshmitarë ata kishin ra!"
 
Edhe pse lufta e gjatë kundër pushtuesit ia kishte rrëmbyer të gjithë bijtë e saj, ajo nuk e mallkon fatin, por krenohet që ata ranë si dëshmitarë për lirinë e Atdheut, duke dëshmuar se dashuria për vendin tejkalon çdo dhimbje vetjake.
 
Kur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) shkel në ato anë të thella, takimi midis tyre kthehet në një moment kulmor emocional. Nëna nuk ka ar, argjend apo dhurata të shtrenjta për të pritur Mbretin, por ka diçka shumë më të vyer: dhin e saj të fundit, të vetmen pasuri që e mbante në jetë. Poema e pasqyron këtë akt me një dialog tejet prekës dhe plot dinjitet:
 
"Unë jam nënë plakë, grua e gjorë,
jetoj ndër ato bjeshkë të nalta.
ku shihen ato kreshta me borë,
E nuk kam vajzë, as djal,
As burrë, as gjini,
Se të gjithë i flijova;
Për të bekuemen ARBNI (SHQIPNI)
Jam e vorfun, o Gjergj, e nuk kam pasuri
Përveç këtij shpirti dhe kësaj dhi..."
 
Duke ia dorëzuar këtë gjë të fundit Kryetrimit, ajo dëshmon se për Arbnin, liria dhe udhëheqësi që prin drejt saj vijnë përpara çdo interesi personal apo mbijetese. Ky akt sublim tregon lidhjen e ngushtë dhe besnikërinë e pakufishme të popullit ndaj heroit të tij.
 
Ajo që e bën këtë legjendë jashtëzakonisht prekëse është reagimi i vetë Gjergj Kastrioti (Skënderbeut). Një princ dhe strateg i madh ushtarak, i mësuar me nderime e mesazhe nga oborret më të larta të Europës, ulet me përulësi përpara kësaj dhurate modeste. Ai e kupton menjëherë se në atë gjest fshihej dashuria sublime e një populli të tërë. Për të nderuar këtë bujari dhe sakrificën e madhe të të gjitha nënave arbërore, Gjergj Kastrioti e pranon dhuratën me lot në sy dhe vendos dy brirët e dhisë mbi përkrenaren e tij:
 
"Skënderbeu, trim bujar,
Shumë u prek, shumë u përmallue.
U ngrit në këmbë e këtë Nënë e përqafoi,
Dhe dy-tri pika lot prej syve trimi i lëshoi,
Dhe Nanës Malësore kështu i ligjëroi:
«Për hir T'an moj Nanë,
Kjo dhi
Ka me qenë symbol e krenari
E Kombit t'onë shqiptar
Për tanë jetën, sa t’jetë bota mbarë!»"
 
Kështu, përkrenarja e tij e famshme, që sot e kësaj dite mahnit mbarë botën, nuk u zbrit nga simbolet e huaja të mitologjisë apo perandorive të mëdha, por u lind nga shpirti i pastër dhe bujar i një nëne të thjeshtë arbnore. Siç thotë edhe mbyllja e legjendës, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) i mbajti dy brirët e dhisë mbi krye, "Me të cilët u mburrte si Luftëtar dhe si Mbret", duke dëshmuar se forca e vërtetë e ushtrisë së tij nuk qëndronte te numrat apo armatimet e rënda, por te lidhja e fortë, e pathyeshme dhe plot dashuri e besim midis Popullit dhe Udhëheqësit të tij.
 
Sot, kur e shohim këtë legjendë përmes syve të shoqërisë moderne, mesazhi i saj tingëllon si një thirrje e fuqishme alarmi për vlerat që po humbasim. Në një kohë të dominuar nga individualizmi, ku interesi personal shpesh del mbi atë kolektiv dhe ku materializmi ka zëvendësuar idealet, akti i nënës arbërore na vendos përpara një pasqyre të ashpër morale. Ajo dha gjithçka që kishte pa kërkuar asgjë në këmbim, ndërsa sot shpesh kërkohet gjithçka duke mos dhënë asgjë për vendin. Ky rrëfim na kujton se shtyllat e vërteta të një kombi nuk janë pasuria apo prestigji i jashtëm, por solidariteti, mirënjohja dhe besnikëria ndaj rrënjëve tona. Brirët e dhisë mbi përkrenaren e Gjergj Kastriotit nuk janë thjesht një element dekorativ i një përkrenareje mbretërore; ato janë një simbol i përjetshëm se madhështia e vërtetë lind nga thjeshtësia, sakrifica dhe bashkimi i udhëheqësit me popullin e tij – një mësim jetik që shoqëria e sotme duhet ta rizgjojë për të mos humbur identitetin./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave