Marrëveshja e arritur më 29 shtator 2026 ndërmjet subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 25 tetorit përbën një zhvillim të rëndësishëm në politikën shqiptare të Luginës së Preshevës.
Në marrëveshje janë përfshirë: PVD, APN, PD, DSH, LPD, LR, AL dhe UDSH, ndërsa lista është bërë publike me emërtimin “Koalicioni Shqiptar”.
Kjo marrëveshje duhet parë jo vetëm si një marrëveshje teknike për zgjedhjet, por edhe si një provë për aftësinë e subjekteve politike shqiptare që, përballë interesave të përbashkëta, të kapërcejnë përkohësisht dallimet partiake.
Në takimin e 15 shtatorit me përfaqësuesit politikë shqiptarë të Luginës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte theksuar nevojën për bashkërendim politik dhe forcim të përfaqësimit parlamentar, duke nënvizuar se dallimet partiake janë pjesë e demokracisë, ndërsa interesat e qytetarëve duhet të jenë pikëtakimi i angazhimit politik.
Historia politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dëshmon se një prej problemeve të vazhdueshme ka qenë fragmentimi i votës dhe konkurrenca ndërmjet subjekteve shqiptare.
Në kushte normale demokratike, pluralizmi politik është vlerë. Partitë kanë të drejtë të kenë programe, ideologji dhe prioritete të ndryshme. Mirëpo, në një hapësirë ku komuniteti shqiptar përballet me një sërë çështjesh dhe sfidash të përbashkëta – përfaqësimin institucional, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin, njohjen e diplomave, zhvillimin ekonomik, të drejtat politike dhe problemet demografike – ekziston edhe nevoja dhe domosdoshmëria për koordinim rreth objektivave strategjike.
Prandaj, rëndësia e listës së përbashkët nuk qëndron vetëm në faktin se 8 partitë do të paraqiten nën një emër të përbashkët. Rëndësia e saj qëndron në mundësinë që vota shqiptare të mos shpërndahet në mënyrë të panevojshme ndërmjet disa garuesve që synojnë të njëjtin elektorat.
Sistemi zgjedhor serb parashikon 250 mandate në Kuvendin e Republikës së Serbisë dhe përdor sistemin proporcional. Listat që nuk kanë statusin e listës së pakicës duhet të arrijnë pragun prej 3 për qind, ndërsa listat e pakicave kombëtare kanë regjim të veçantë dhe mund të marrin pjesë në shpërndarjen e mandateve edhe nën këtë prag; megjithatë, edhe statusi i pakicës nuk garanton automatikisht një mandat!
Një listë e përbashkët nuk do të thotë automatikisht më shumë deputetë. Përfaqësimi parlamentar varet nga numri i votave të marra, statusi juridik i listës, mënyra e shpërndarjes së mandateve dhe renditja e kandidatëve në listë.
Prandaj, vlera e marrëveshjes do të matet në tri nivele.
Së pari, sa do të jetë mobilizimi i votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?
Së dyti, sa do të arrijnë partitë nënshkruese të ruajnë unitetin gjatë fushatës dhe të shmangin konfliktet e brendshme?
Dhe, së treti, a do të vazhdojë bashkëpunimi edhe pas 25 tetorit?
Ky aspekt i fundit është ndoshta më i rëndësishmi!
Nëse marrëveshja ekziston vetëm deri në ditën e zgjedhjeve, ajo do të jetë kryesisht një koalicion elektoral. Nëse ajo vazhdon pas zgjedhjeve, me platformë të përbashkët, koordinim të deputetëve dhe mekanizma të përbashkët për mbrojtjen e interesave të qytetarëve, atëherë mund të marrë karakter më të qëndrueshëm politik.
Për shqiptarët e Luginës, sfida nuk është vetëm të fitohen tre mandate parlamentare.
Sfida është që ato mandate të shndërrohen në instrument të përfaqësimit politik të qytetarëve.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë nuk duhet të jetë vetëm përfaqësues i një partie, por duhet të jetë edhe zë i çështjeve që prekin komunitetin shqiptar në tërësi!
Kjo kërkon një platformë të qartë dhe të matshme.
Në vend të deklaratave të përgjithshme, do të duhej të përcaktoheshin objektiva konkretë: përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i të drejtave të garantuara ligjërisht, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, arsimi, njohja e diplomave, pasivizimi i adresave, zhvillimi ekonomik, investimet publike, infrastruktura, mbrojtja e të drejtave zgjedhore dhe çështjet demografike.
Në këtë kuptim, bashkimi politik ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me përgjegjësi politike!
Sepse shqiptarët e Luginës nuk kanë nevojë vetëm për një listë të përbashkët, por ata kanë nevojë edhe për një strategji të përbashkët.
Roli i Kosovës dhe kufijtë e mbështetjes nga Prishtina
Fakti që marrëveshja u arrit në Prishtinë, pas takimeve të mëparshme të kryeministrit Kurti me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës, tregon edhe interesimin e institucioneve të Kosovës për koordinimin politik të shqiptarëve jashtë territorit të Kosovës.
Mbështetja politike nga Prishtina mund të ketë rëndësi për koordinimin, komunikimin dhe sensibilizimin e çështjeve të shqiptarëve të Luginës. Por përfaqësimi politik legjitim buron nga vota e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Prandaj, çdo mbështetje nga jashtë duhet të shërbejë për forcimin e kapaciteteve politike të shqiptarëve të Luginës dhe jo për zëvendësimin e vullnetit të tyre politik.
Kjo është një vijë e rëndësishme që duhet ruajtur!
Nëse subjektet shqiptare dëshirojnë që kjo marrëveshje të ketë rëndësi përtej zgjedhjeve të 25 tetorit, atëherë pas zgjedhjeve duhet të fillojë një fazë e re.
Ajo duhet të përfshijë së paku tre elemente:
E para, një platformë të përbashkët politike për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
E dyta, një mekanizëm të përhershëm të koordinimit ndërmjet partive, komunave, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve parlamentarë.
E treta, një raportim të rregullt para qytetarëve për atë se çfarë është realizuar dhe çfarë nuk është realizuar.
Vetëm kështu mund të ndërtohet besimi politik!
Sepse problemi më i madh nuk është vetëm mungesa e unitetit. Por është edhe mungesa e mekanizmave që e bëjnë unitetin të qëndrueshëm!
Zgjedhjet e 25 tetorit duhet të shihen, pra, jo vetëm si një garë për mandate parlamentare, por edhe si një test i pjekurisë politike të subjekteve shqiptare.
Marrëveshja e përbashkët krijon një mundësi për koordinimin e votës, por përgjegjësia kryesore mbetet tek vetë subjektet politike dhe tek kandidatët që do të kërkojnë besimin e qytetarëve.
Nëse pas zgjedhjeve deputetët shqiptarë veprojnë të koordinuar për çështjet themelore të Luginës, atëherë marrëveshja mund të marrë një dimension më të gjerë institucional.
Nëse, përkundrazi, bashkimi përfundon me përfundimin e fushatës, atëherë do të mbetet kryesisht një instrument elektoral.
Prandaj, pyetja kryesore nuk është vetëm: “A do të fitojnë shqiptarët më shumë mandate?”
Pyetja më e rëndësishme është:
“A do të arrijnë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që nga një bashkim elektoral të ndërtojnë një politikë të përbashkët dhe të qëndrueshme për interesat e tyre?”
Kjo është sfida e vërtetë!
Megjithatë, marrëveshja e 29 shtatorit mund të jetë një pikënisje e rëndësishme për një fazë të re të bashkëpunimit politik shqiptar në Luginën e Preshevës.
Por rëndësia e saj përfundimtare do të varet nga mënyra se si do të zbatohet, nga respektimi i marrëveshjes ndërmjet subjekteve dhe, mbi të gjitha, nga aftësia për ta kthyer unitetin elektoral në përfaqësim institucional, përgjegjësi politike dhe strategji afatgjatë!/Bota Sot