Qysh po ndryshon Kosova: Vend më i tkurrur, më urban dhe në plakje të përshpejtuar
Qysh po ndryshon Kosova: Vend më i tkurrur, më urban dhe në plakje të përshpejtuar 09.07.2026 | 02:29
Nga Flakon Demaku
 
Kosova po tkurret me shpejtësi, po urbanizohet me të madhe dhe po përballet me plakje të popullsisë.
 
Sipas regjistrimit të ri të ASK-së, popullsia e Kosovës ka rënë nga 1,780,024 banorë sa ishte në vitin 2011, në 1,602,515 në vitin 2024.
 
Shifra prej 177,509 personash më pak tregon se popullsia ka rënë me 10% nga njëri regjistrim te tjetri, me mesatare prej 0.8% në vit. Tkurrja ishte pak më e ndjeshme te burrat, me 9.2%, sesa te gratë, ku rënia ishte 8.6%.
 
Më pak fëmijë, më shumë të moshuar
 
Por ajo që bie më shumë në sy është ndryshimi i moshës së popullsisë. Fëmijët deri në 14 vjeç janë zvogëluar me 28.6% (rreth 2.5% çdo vit), ndërsa të rinjtë nga 15 deri në 24 vjeç kanë rënë me 23.6% (2.1% në vit).
 
Nga ana tjetër, të moshuarit nga 65 deri në 79 vjeç janë rritur me gati 50% (3.1% çdo vit). Ndërsa rritjen më të madhe në tërë vendin e patën ata mbi 80 vjeç, që u shtuan me 69.4% (4.2% në vit). Te ky grup i fundit, burrat u shtuan edhe më shpejt se gratë, duke shënuar një rritje prej 79.9%.
 
Si rezultat, mosha e popullsisë ka ndryshuar fort brenda vetëm një gjenerate. Për ta krahasuar, në vitin 2011 fëmijët deri në 14 vjeç përbënin 28% të popullsisë, kurse të moshuarit mbi 65 vjeç ishin vetëm 6.7%.
 
Kurse në vitin 2024, përqindja e fëmijëve ra në 21.9%, ndërsa ajo e të moshuarve pothuajse u dyfishua duke arritur në 11%. Regjistrimi tregon edhe një tjetër gjë shqetësuese: ka zbrazëtirë të madhe te njerëzit e moshës 25 deri në 45 vjeç, si te burrat, ashtu edhe te gratë.
 
Urbanizimi në rritje dhe zbrazja e fshatrave
 
Raporti tregon se, krahas rënies së popullsisë, Kosova po urbanizohet me hapa të shpejtë.
 
Përqindja e njerëzve që jetojnë në qytete u rrit nga 38% në vitin 2011, në 50.2% në vitin 2024. Ky ndryshim nuk ka ardhur domosdoshmërisht nga ndonjë dyndje e madhe drejt qendrave urbane, po edhe zgjerimin e kufijve të qyteteve përmes planeve të reja komunale dhe kthimin e disa fshatrave në zona urbane.
 
Si rrjedhojë, hapësira urbane e vendit u zgjerua nga 187 km² (1.7% e territorit) në 247 km² (2.3%). Në të njëjtën kohë, dendësia mesatare e popullsisë në mbarë vendin shënoi rënie, duke zbritur nga 163 në 147 banorë për kilometër katror.
 
Dallimet mes komunave mbeten mjaft të thella. Zveçani ka humbur 56.7% të popullsisë që nga viti 2011, i ndjekur nga Kamenica me 51.5%, Zubin Potoku me 48.8% dhe Novobërda me 33.2%.
 
Fushë Kosova nga ana tjetër pati rritje të jashtëzakonshme prej 83.6%, Parteshi u rrit me 81.3%, Graçanica me 73.2%, ndërsa vetë kryeqyteti, Prishtina, shënoi një rritje më të moderuar prej 14.4%.
 
Tkurrja e familjeve dhe rritja e jetesës në vetmi
 
Këto lëkundje demografike janë pasqyruar edhe në strukturën e ekonomive familjare.
 
Numri mesatar i anëtarëve për familje në Kosovë u tkurr nga 5.9 në 4.3 persona përgjatë këtij ndërmjetësie kohor. Ndërkaq, familjet njëanëtarëshe u rritën nga 2.9% në 7.0% të numrit të përgjithshëm, duke u trefishuar pothuajse brenda 13 viteve.
 
Regjistrimi nxjerr në pah edhe disa tregues pozitivë. Niveli i kualifikimit arsimor për popullsinë e moshës 25–64 vjeç (me arsim të mesëm të lartë apo universitar) u rrit nga 49.5% në 62.5%, me progres të theksuar te gratë, ku shifra u zhvendos nga 32.9% në 51.0%. Gjithashtu, papunësia e të rinjve shënoi rënie domethënëse nga 64.6% në 19.3%, ndërsa shkalla e aktivizimit të femrave të moshës 25–64 vjeç në tregun e punës u rrit nga 28.6% në 36.1%./Nacionale
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave