Nga Berat Buzhala
“Bërtas për ndihmë, por askush nuk më dëgjon. Ulëras, por nuk gjej drejtësi.”
“Faruk, Faruk, të lutem, të lutem…”
Këto janë fjalët e Arlinda Zekajt në bisedën e saj me zyrtarin policor Faruk Muçolli, pak ditë para se të vritej.
Në Dhiatën e Vjetër, te Libri i Jobit, është një fjali e lemerishme:
“Bërtas për ndihmë, por askush nuk më dëgjon. Ulëras, por nuk gjej drejtësi.”
Nuk e di a ka gjendje më të tmerrshme për një njeri sesa kjo. Kur çdo derë është e mbyllur, çdo vesh është i shurdhër. Kur kërkesa jote për ndihmë shpërndahet në gjithësi. Nuk shkon te askush. Humbet në gjithësi.
Kjo është ajo që më shkoi nëpër mend duke i dëgjuar vuajtjet e Arlindës, duke e dëgjuar bisedën e saj me Farukun.
Mirëpo, kam frikë se kjo bisedë mund të keqkuptohet.
Sepse Faruku, nga ajo që dëgjohet në incizim, është njëri prej njerëzve që e kishte takuar Arlindën. E kishte dëgjuar.
Nuk po them që Faruku i ka kryer të gjitha obligimet e tij. Kjo duhet të hetohet.
Por këtu kemi të bëjmë me diçka shumë më të madhe sesa Faruku.
Arlinda e kishte gjetur një njeri që e dëgjonte, por nuk e kishte gjetur një sistem që e mbronte.
Ka edhe diçka tjetër, edhe më të dhimbshme.
Arlinda duket se e kishte parandier fundin e vet. E kishte kuptuar se çfarë mund t’i ndodhte. E kishte kuptuar që institucionet mund të mos arrinin ta shpëtonin.
Prandaj kishte filluar të dokumentonte gjithçka.
Çdo ankesë. Çdo kërkesë. Çdo bisedë. Çdo letër.
Për të lënë dëshmi për ditën kur ajo nuk do të ishte më. Sepse dukej se e dinte çfarë do të ndodhte pas vdekjes së saj.
Se dikush do të dilte e do të thoshte: Pse nuk shkoi në polici? Pse nuk e paraqiti rastin? Pse nuk mori avokat? Pse nuk e lajmëroi KGJK-në? Pse nuk e lajmëroi KPK-në? Pse nuk foli më fort?
E Arlinda, para se të vdiste, sikur kishte dashur të na linte përgjigjen:
“I kam bërë krejt. I kam dokumentuar krejt. Qe ku i keni.”
Arlinda e ka ditur çfarë mutash jemi.
E ka ditur që edhe pas vdekjes së saj dikush do të gjente një arsye, një procedurë, një dokument. Do të thoshte pse nuk ka shkuar këtu, pse nuk ka shkuar atje.
Mirëpo, unë besoj se Arlinda një gjë nuk e kishte paraparë.
Nuk e kishte paraparë që pas vdekjes së saj, një ministre e një qeverie që është në pushtet prej gati gjashtë vjetësh, kur përballet me këtë gjendje, do të kishte fytyrë të dilte në Kuvend e të thoshte:
“Fatkeqësisht ajo nuk iu drejtua Qeverisë. Po t’i drejtohej Qeverisë ndoshta do të kishte angazhim.”
A e dëgjuat ministren Donika Gërvalla?
Pra, Arlinda kishte shkuar në polici, kishte shkuar në prokurori, kishte kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor, kishte shkruar letra, kishte regjistruar biseda, kishte paralajmëruar që mund të vritej.
Dhe pas gjithë kësaj, pas gjithë kësaj, një ministre del dhe thotë që ndoshta është dashur të shkonte edhe në Qeveri.
Çfarë situate absurde.
Sa dyer është dashur t’i trokiste Arlinda për ta fituar të drejtën që i takonte?
Ndoshta është dashur të shkonte edhe te kryeministri. Edhe te presidentja. Edhe te kryetari i Kuvendit.
Një grua që, në vend se të merrej me jetën e saj, me djalin e saj, me të ardhmen e saj, është detyruar të mblidhte prova që mund t’i hynin në punë pas vdekjes.
Dhe jo vetëm prova kundër atyre që e kishin kërcënuar.
Por edhe prova që institucionet e shtetit e kishin ditur se ajo ishte në rrezik.
Kjo nuk do të thotë që Arlinda ishte pajtuar me vdekjen.
Përkundrazi.
Ajo ka luftuar deri në fund për të jetuar. Deri në atomin e fundit.
Mirëpo, e kishte kuptuar që kishte hyrë në një rreth të mbyllur, ku secili institucion kishte një përgjigje, secili një arsyetim, secili një procedurë.
A e dëgjuat kur e pyeste Farukun:
“E kush e ka obligim?”
Çfarë pyetje e tmerrshme.
Një rreth i mbyllur. Një qark fatal.
Ulërima e Arlindës nuk ka humbur në gjithësi.
Ajo ka mbërritur në polici, në gjykata, në institucione. Është shënuar në procesverbale, është ruajtur në dokumente.
Por nuk i ka hyrë në punë për t’u mbrojtur.
Të shkonte Arlinda, për shembull, te ndonjë deputete, të kishte numrin e drejtpërdrejtë të ndonjë ministri, ministreje apo kryeministri, ndoshta gjërat do të rridhnin ndryshe.
Me të drejtë Drenusha Latifi iu drejtua Edona Llalloshit dhe e pyeti pse po hesht.
Sepse, në rastin e Edonës, reagimi institucional ishte shumë më i shpejtë. Ish-bashkëshorti i saj u arrestua. Shumë mirë.
Por a duhet të bëhemi të gjithë deputetë? Të gjithë ministra? Të gjithë të kemi dikë?
Sepse në momentin që nuk e ke askënd, ti je kërkushi.
Ti nuk ke zë.
Eventualisht mund të bisedosh me Farukun, i cili nuk të jep zgjidhje, sepse Faruku është vetëm një vidë e këtij sistemi burokratik kafkian.
Arlinda thërriste “Faruk, Faruk”. Por, në të vërtetë, ajo po i thërriste shtetit.
Dhe shteti duhej ta dëgjonte./Nacionale