“Arrëthyesi” me magjinë e baletit botëror
“Arrëthyesi” me magjinë e baletit botëror 20.12.2023 | 01:34
Magjepsës e magjik do të përmblidhej me një fjalë “Arrëthyesi” i Kosovës, një prej produksioneve më madhore në botën e artit skenik si traditë e kahershme e festave të fundvitit. Një lloj rituali përrallor në botë, ngjarje historike në vend. Baleti Kombëtar i Kosovës është harmonizuar me Filharmoninë e Kosovës në kapitullin e baletit klasik si “gurthemel” i produksioneve të mëdha.
 
Kontrasti me shfaqjet paraprake bashkëkohore të Baletit është “Arrëthyesi” klasik. Me të ishte synuar tjetër nivel dhe institucioni ishte sfiduar në krejt aspektet. Të shtunën në premierë rezultati qe mbresëlënës.
 
“Arrëthyesi” i Kosovës frymoi magjishëm duke sjellë atmosferën mbretërore e emocione në çdo sekuencë të koreografisë e lojës muzikore.
 
Shfaqja me koreografi të Ilir Kernit ka qenë një lloj shfaqjeje më aristokrate në paraqitje. Është përcjellë me aktrim e që i ka dhënë ngjyrat operistike baletit “Arrëthyesi” të rusit Tchaikovsky.
 
Shpejt nis të shfaqet edhe karakteri i Arrëthyesit që është luajtur nga balerini Sead Vuniqi. Lodra merret nga Karla, karakter që e luan balerina Jeta Musolli, përplaset përtokë. Loja e saj në qendër të shfaqjes e paraqet në mbrojtje fanatike të lodrës.
 
Akti i parë mbyllet me skenën e borës, ku Arrëthyesi shndërrohet në Princ dhe e çon Klarën në një udhëtim duke kërcyer tok me flokët e borës. Këtë rol e ka luajtur balerini hungarez Nikola Hadjitanev, që është ftuar për shfaqje.
 
“Roli im është ai i Princit që rritet dhe Clara e takon atë më pas. Teknikisht është shumë i komplikuar, me shumë shtresime dhe pjesë solo, por është një prej më të pëlqyerve të mi”.
 
Akti i dytë nis me një betejë të një ushtrie minjsh si një seri zbavitjeje, para se të arrihet kulmi në pjesën e famshme solistike të rolit të Princeshës Sheqerkë, që e ka interpretuar balerina hungareze Marta Petkova. Ajo është shprehur shumë e lumtur që ka qenë pjesë e paraqitjes së parë të baletit për publikun në vend.
 
“E kam shijuar shumë këtë performancë, jam ndier princeshë e vërtetë me rolin tim, me shumë sharm, e kam shijuar pjesën time. Jam shumë e lumtur të shoh sallën e mbushur me njerëz, gjë që është shumë e rëndësishme për artistët. Kjo do të thotë se njerëzit në Prishtinë e kanë këtë kulturë, gjë që është shumë me rëndësi për skenën artistike të baletit”.
 
Vallëzime të vendeve të ndryshme me përfshirjen e kulturave me muzikë e kërcim kanë nisur të zënë vend në skenën e “Arrëthyesit”. Karla është mikpritësja dhe përcjellësja e krejt solistëve që vijnë në grupe të vogla në skenë me pika të ndryshme koreografike.
 
Balerina Jeta Musolli që e ka luajtur rolin kryesor të “Arrëthyesit” ka thënë se është ndier e privilegjuar dhe e nderuar që i është besuar roli.
 
“Kanë qenë disa javë me të vërtetë intensive me një dinamikë të fortë, lodhje, emocion dhe intensitet tepër të lartë. Sonte jam ndier jashtëzakonisht mirë, edhe publiku u nda i kënaqur sonte. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne, sepse të tjerat të gjitha harrohen pastaj”.
 
Që në fillim ishte e qartë se “Arrëthyesi” kërkon perfeksion, lëvizje të sakta e sfiduese.
 
Koreografi Ilir Kerni është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen finale para publikut, e ka vlerësuar moment historik shfaqjen e “Arrëthyesit”.
 
“Vendosja e ‘Arrëthyesit’ këtu në Kosovë mendoj që është një moment historik për kulturën e Kosovës, dhe mendoj që është privilegj për kryeqytetin, Prishtinën, që të ketë këtë performancë në repertorin e saj dhe t’u bashkohet të gjitha kryeqyteteve ku tashmë zhvillohet, në muajin dhjetor me rastin e festave. Në këtë pikë jam shumë i lumtur që unë isha i pari që vendosi një gur themeli në kuptimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë sektorëve ku janë orkestra, baleti, teknika, ndriçimi”.
 
Lëvizjet e balerinëve kryesisht kanë qenë të lidhura ngushtë me tingujt minimalist të luajtur nga Orkestra e Filharmonisë. Edhe ai e ka vlerësuar moment historik premierën e “Arrëthyesit”.
 
“Kjo ishte arsyeja pse u ktheva në Kosovë për këtë shfaqje. Mendoj se njerëzit në Kosovë janë të mrekullueshëm dhe të fortë. E adhuroj këtë mentalitet kaq të fuqishëm për të ndërtuar diçka nga asgjë dhe për ta bërë kaq të bukur. Më frymëzoi aq shumë dhe doja të jepja diçka nga përvoja ime si muzikant. Me të vërtetë ndiej se ky vend dëshiron të bëjë diçka madhështore dhe unë me kënaqësi e bëra pjesën time”.
 
Kostumografe e shfaqjes ka qenë Elva Bella, ndërsa skenografia është punuar nga Vesa Kraja. Asistente e koreografit ka qenë balerina Rovena Shqevi.
 
Në përcjellje përrallore ka qenë edhe përfshirja e korit të fëmijëve “Okarina” nën dirigjimin e Elikona Hysajt në një pjesë të interpretimit me vokal.
 
Magjia e “Arrëthyesit” është sjellë edhe të dielën mbrëma në reprizën e parë dhe të fundit./© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
 
Video 
List of videos
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave