Mozaicistë, farkëtarë, marangozë, mjeshtër mermeri e gurgdhendës, si dhe muratorë, dekorues e stukatorë. Nisin pesë kurset e institucionit të Vatikanit, ku të rinjtë, nën drejtimin e mjeshtërve me përvojë, do të zhvillojnë 200 orë mësim teorik dhe 400 orë praktikë. Një shkollë që përcjell mjeshtërinë e traditës dhe e vë artin në shërbim të bukurisë dhe të fesë.
Në Librin e Parë të Kronikave tregohet se Hyji nuk ia lejoi mbretit David të ndërtonte tempullin e Tij në Jerusalem, sepse kishte derdhur shumë gjak dhe kishte zhvilluar luftëra të shumta. Ndërtimin e tempullit ia besoi të birit, Salomonit, “njeriut të paqes”. Duke iu referuar këtij fragmenti biblik, ku përmenden zanate që jetojnë edhe sot në Fabbrica di San Pietro, Kryeipeshkvi Vittorio Francesco Viola - Vikar i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit dhe Vilat Papnore të Castel Gandolfos, Kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan dhe President i vetë Fabrikës - i priti studentët e edicionit të pestë të Shkollës së Arteve dhe Zanateve mbrëmë, më 12 nëntor, në Sallën e Kapitullit të Sakristisë së Vatikanit, në Shën Pjetër. Studentët, të ardhur nga e gjithë Italia e më gjerë, do të përfundojnë gjashtëqind orë teori e praktikë gjatë gjashtë muajve, ndarë në pesë specialitete të ndryshme: mozaikistë, farkëtarë, zdrukthëtarë, marmistë, muratorë, dekorator e suvatues.
Aftësi teknike dhe brendësi
"Bukuria, arti në shërbim të kultit, të lavdërimit të Zotit"- kujton Kryeipeshkvi Viola, "mund të lindë vetëm nga një zemër e pajtuar, zemër që jeton në paqe me Zotin dhe me vëllezërit e motrat e veta". Përvoja e Shkollës së Arteve e Zanateve ndihmon në bashkimin e këtyre përmasave, sepse përfshin jo vetëm mësimin e nocioneve ose të aftësive praktike, por edhe thellësinë e artit e cila, shpjegon Imzot Viola, "kërkon pjesëmarrjen e të gjithë personit". E jo vetëm aftësi teknike, por kërkon edhe thellësinë shpirtërore që përmban arti.
Të ruajtur dhe rojtarë
Bazilika e Shën Pjetrit është vend kulti, vend i shenjtë për t'u mbrojtur, por edhe realitet mbrojtës për ata që e jetojnë. "Është pikërisht hiri i varrit të Pjetrit - thekson Imzot Viola - që e mbron çka jemi thirrur të bëjmë. Ndërtesa e Kishës është gjithmonë shprehje e Kishës që përmban, kur e kremton, Misterin e Pashkëve. Bukuria e Pashkëve është e pakrahasueshme". Në Shën Pjetër, vijon presidenti i Fabrikës imzot Viola, bukuria e artit i afrohet dhe e shtrinë bukurinë e Krishtit të Ngjallur: "E ndiejmë se kjo bukuri ruan edhe dëshirën tonë të vazhdueshme për t’i mësuar dhe për t’i vënë në jetë aftësitë dhe ekspertizën e mjeshtrave të artit në shërbim të këtij vendi të hapur për t’i mirëpritur të gjithë".
Shkolla për të ardhmen
"Shkolla është vendi që, më shumë se çdo vend tjetër, mund të na flasë për të ardhmen. E arsimi, investim në të ardhmen", vazhdon kryeipeshkvi Viola. Studentët e Fabrikës nuk marrin pjesë thjesht në një kurs, por përkundrazi, fitojnë përvojën e jetës, të komunitetit e të familjes, "e cila me siguri, me kalimin e kohës, do t'i shoqërojë këta të rinj, duke u dhënë aftësi që, nga kalldrëmi në kalldrëm, gjatë shekujve të pafund të ekzistencës së kësaj Bazilike, kanë mbërritur deri tek ne". Pas përshëndetjes së Imzot Violës, njëzet të rinjtë e zgjedhur, të moshës ndërmjet 18 deri 25 vjeç, u paraqiten duke përshkruar shkurtimisht përvojat e mëparshme dhe pritjet e tyre.
Duke iu drejtuar nxënësve, Emilia Rio, drejtoreshë operative e Fabrikës së Shën Pjetrit, përmblodhi tre funksionet kryesore të institucionit të Vatikanit: sigurimin e jetës liturgjike dhe shpirtërore të vendit, mbrojtjen dhe ruajtjen e gjithë trashëgimisë arkitekturore dhe artistike të Bazilikës dhe pritjen e shtegtarëve. Studentëve u drejtoi urimin se do të mësonin "me kokën, me duart dhe me zemrat".
Një traditë e gjatë
Assunta di Sante, drejtoreshë shkencore e Shkollës së Arteve dhe Zanateve të Fabrikës së Shën Pjetrit në Vatikan, ripërshkoi historinë e Shkollës, që filloi në shekullin e 18-të, ndonëse ishte themeluar në shekullin e 17-të. Në këtë mënyrë, Fabrika ishte në gjendje të përfitonte nga aftësitë e fituara me kalimin e kohës dhe të mbështetej tek punëtorët e saj të brendshëm: punëtorët më të vjetër mësonin më të rinjtë dhe, gjatë asaj periudhe, morën emrin "sampietrini" duke treguar përkatësinë e tyre në vendin që ruanin. Në fund të Shtatëqindës teoria bashkohet me praktikën gjatë themelimit të Studios Papnore të Arteve, duke u mbështetur në Akademinë prestigjioze të Shën Lukës.
Praktika dhe Teoria
Shkolla, e rilindur në vitin 2023, ndërton mbi traditën e lashtë. “Parimet janë të njëjta: shkolla është falas dhe ndërthur praktikën me teorinë”, shpjegoi Di Sante. Praktika u besohet kryesisht punëtorëve sampietrinë të Fabrikës, siç janë mozaikistët, institucion i klasit botëror; ndonëse teoria mësohet jo vetëm nga stafi i brendshëm, por edhe nga instruktorë të jashtëm". Këtë vit iu paraqit studentëve manuali i parë i Shkollës së Arteve dhe Zanateve që, i botuar së fundmi, mbledh mësimet kryesore të përbashkëta për kurset e ndryshme të shkollës. Gjatë mbrëmjes së hapjes, shtatë mjeshtër artizanë, të cilët studentët i takuan në punëtori, u vlerësuan gjithashtu me një pergamenë dhe një distinktiv./Radio Vatikani