Papa: të krishterët të jenë për paqen dhe drejtësinë, “jo” shtypjes së të varfërve
Papa: të krishterët të jenë për paqen dhe drejtësinë, “jo” shtypjes së të varfërve 07.10.2026 | 02:14
Në audiencën e përgjithshme, Papa vijon katekezat mbi Gaudium et Spes dhe ndalet te misioni i Kishës në botën bashkëkohore, i orientuar drejt së mirës së përbashkët, në mënyrë që të realizohet plani i Hyjit, i cili dëshiron shëlbimin e gjithë njerëzimit. Metodat dhe qëllimet e saj nuk janë “të natyrës politike”, por kanë të bëjnë me dëshminë e fesë dhe të dashurisë. Besimtarët duhet ta dëshmojnë fenë në jetën e përditshme.
 
Misioni i parë i Kishës është t’i ndihmojë njerëzit t’u kushtojnë vëmendje pyetjeve të thella të jetës, domethënë atyre, që lidhen me “origjinën” dhe “fatin” e njerëzve, si edhe “me kuptimin e dashurisë dhe të vuajtjes”. Një mision, që “ka vetëm një qëllim: të vijë Mbretëria e Hyjit dhe të realizohet shëlbimi i gjithë njerëzimit”. Këtë shpjegoi Papa Leoni XIV në audiencën e përgjithshme, në katekezën e pestë mbi Kushtetutën Baritore Gaudium et spes, kushtuar “Misionit të Kishës në botën bashkëkohore”, në kuadër të ciklit mbi dokumentet e Koncilit II të Vatikanit.
 
Misioni i besimtarit
 
Para besimtarëve dhe shtegtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa sqaroi se Kisha jeton në botë, siç theksoi asambleja ekumenike e mbledhur nga Gjoni XXIII. “Ne jemi shtegtarë mbi tokë dhe me këtë botë ndajmë brishtësinë dhe bukurinë”. Kisha ecën në histori mes popujve dhe kulturave, vërejti Ati i Shenjtë. Misioni i saj konkretizohet përmes “dëshmisë së fesë dhe të dashurisë”, së bashku me impenjimin për drejtësinë, paqen dhe vëllazërimin. Prandaj, asnjë besimtar “nuk mund ta pranojë shtypjen e të vegjëlve dhe të të varfërve”.
 
“Logjika e fitimit me çdo kusht dhe manipulimi i informacionit – denoncon Papa – ka rrezik të ushtrojnë një presion të padrejtë, në mënyrë që njerëzit t’i përshtaten asaj mënyre jetese, që përqendrohet në konsumin e të mirave materiale, por zemra jonë është krijuar për të parë lart”.
 
Në shërbim të së mirës së të gjithëve
 
Për ta realizuar këtë, Kisha nuk përdor metoda të natyrës politike, por bashkëpunon me njerëzit vullnetmirë, që dëshirojnë të promovojnë të mirën e përbashkët, sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës. E këta njerëz, sidomos besimtarët, duhet ta dëshmojnë fenë.
 
“Për ta përmbushur si duhet misionin ungjillor, është e nevojshme që çdo i pagëzuar të impenjohet për të bashkëpunuar me hirin e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që feja e tij të jetë e gjallë dhe të shprehet përmes qëndrimeve koherente. Në të vërtetë, siç kujtojnë Etërit e Koncilit, ndarja midis fesë së shpallur dhe jetës së përditshme “duhet të renditet ndër gabimet më të rënda të kohës sonë””.
 
Shenjtëria dhe dashuria
 
Siç thuhet në Gaudium et spes, misioni i “besimtarëve laikë” është “ta gjallërojnë botën me shpirtin e krishterë dhe me vizionin e Ungjillit”, nënvizoi Leoni XIV, duke përcaktuar edhe vendet kryesore të këtij veprimi, si familja, puna dhe çdo fushë e jetës.
 
“Është detyrë e gjithë Popullit të Zotit, veçanërisht e barinjve dhe e teologëve, të dallojnë, në kulturat e kohës sonë, ç’është e denjë për t’u marrë parasysh, duke pasur gjithmonë si kriter më të lartë shqyrtimi Fjalën e Hyjit dhe Traditën e Kishës. Kjo kërkon një shpirt të ekuilibruar dhe të lirë nga modat kulturore, të aftë për ta parë botën në mënyrë pozitive dhe, njëkohësisht, të palëkundur në ruajtjen dhe paraqitjen e mesazhit ungjillor në tërësinë e tij”.
 
Papa nënvizoi se Kisha e realizon misionin e saj “përmes shenjtërisë personale dhe dashurisë vëllazërore” ndërmjet anëtarëve të vet. Pa këtë, siç ka shkruar Shën Pali VI në Nxitjen Apostolike Evangelii nuntiandi, “fjala jonë vështirë se do të gjejë rrugën drejt zemrës së njeriut bashkëkohor” dhe ka “rrezik të bëhet e kotë dhe e pafrytshme”. Prandaj, Leoni XIV i ftoi besimtarët ta lejojnë Shpirtin Shenjt t’i ndihmojë të jetojnë “në shenjtëri dhe në dashuri, në mënyrë që bota të besojë dhe të shpresojë”. Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve të gjuhës arabe, nënvizoi edhe një herë rëndësinë “për ta dëshmuar Krishtin përmes dashurisë, drejtësisë dhe paqes, për të ndërtuar një botë në të cilën e mira e përbashkët dhe vëllazërimi të mbizotërojnë mes të gjithëve”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.