Turma islamiste-majtiste vërshon rrugët e Francës, mbi 250 mijë protestues përballen me policinë
Turma islamiste-majtiste vërshon rrugët e Francës, mbi 250 mijë protestues përballen me policinë 07.10.2026 | 02:16
Mbi 250 mijë nxënës, mësues dhe prindër kanë dalë në protestë në qytete të ndryshme të Francës, në ditën më të madhe të demonstratave për përmirësimin e kushteve në shkolla.
 
Protestat, që kanë nisur më shumë se dy javë më parë, janë shoqëruar në disa raste me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
 
Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në disa qytete janë raportuar akte vandalizmi dhe përleshje sporadike. Ministria e Brendshme franceze tha se rreth 200 mijë persona morën pjesë në protesta në qytete si Marseille, Nantes dhe Lyon, ndërsa rreth 56 mijë të tjerë protestuan në Paris. Organizatorët pretendojnë se numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve ishte rreth 450 mijë.
 
Rreth 500 persona u arrestuan vetëm të martën, ndërsa 43 efektivë policie u plagosën, sipas të dhënave të autoriteteve. Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, tha se që nga nisja e protestave janë plagosur të paktën 215 adoleshentë dhe 85 punonjës të arsimit. Ndërkohë, 715 policë janë lënduar gjatë përleshjeve.
 
Protestuesit kërkojnë më shumë mësues, zëvendësimin e shpejtë të stafit që mungon, përmirësimin e godinave dhe kushte më të mira për mësim.
 
“Ne duam vetëm të shpëtojmë arsimin tonë dhe të arsimohemi”, tha 18-vjeçarja Océanne gjatë protestës në Marseille.
 
Një tjetër studente, Anna, tha se kërkesat e tyre janë të thjeshta: “Kushte më të mira studimi, mësues të mjaftueshëm dhe godina shkollore dinjitoze”.
 
Sipas Ministrisë së Arsimit, më shumë se 900 nga 3,700 shkollat e mesme në Francë u bllokuan ose u mbyllën të martën. Grupet studentore pretendojnë se numri i shkollave të prekura është edhe më i lartë. Në disa zona, mësimi u zhvillua online.
 
Protestat kanë shkaktuar edhe dëme materiale. Që nga mesi i shtatorit, 24 shkolla janë djegur ose dëmtuar, ndërsa më shumë se 6,100 persona janë arrestuar. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë të mitur.
 
Sindikatat dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës. Amnesty International u ka bërë thirrje autoriteteve franceze t’i japin fund asaj që e cilëson si “represion disproporcional” ndaj protestuesve.
 
Disa raste të rënda kanë shtuar shqetësimet për mënyrën e ndërhyrjes së policisë. Një 15-vjeçar humbi dorën gjatë përleshjeve me policinë, ndërsa një 16-vjeçar humbi shikimin në syrin e djathtë pasi u plagos në kokë gjatë një proteste në Tours. Në një tjetër incident, një 14-vjeçar humbi pjesën më të madhe të dhëmbëve pasi një efektiv policie dyshohet se përdori një granatë ndaj tij nga afër.
 
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se policia kishte nisur 10 hetime të brendshme për pretendimet për përdorim të tepruar të forcës. Ai mbrojti reagimin e policisë, duke thënë se në pothuajse të gjitha rastet ndërhyrja kishte qenë proporcionale.
 
Presidenti Emmanuel Macron ka thirrur ministrat kryesorë në Pallatin Élysée për të diskutuar situatën. Kryeministri Lecornu ka urdhëruar qeverinë të trajtojë kërkesat kryesore të nxënësve, mes tyre zëvendësimin e mësuesve që mungojnë, rishikimin e orarit të gjatë shkollor dhe riparimin e godinave të vjetruara.
 
Megjithatë, Lecornu ka dënuar dhunën gjatë protestave. “Vendosja e zjarrit në një shkollë nuk do të ndihmojë në riparimin e saj. Sulmi ndaj një mësuesi nuk do të ndihmojë në zëvendësimin e stafit që mungon”, deklaroi ai, shkruan abcnews.al.
 
Protestat po shtojnë presionin mbi qeverinë franceze, e cila përballet edhe me probleme ekonomike, borxh të lartë publik dhe shqetësime për rritjen e dobët ekonomike. Situata vjen vetëm shtatë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, ku francezët do të zgjedhin pasuesin e Emmanuel Macron.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.