Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është arritur një “marrëveshje e madhe” me Iran për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme dhe se ajo mund të nënshkruhet këtë fundjavë, ndoshta në Europë.
“Ne sapo arritëm një marrëveshje të madhe për luftën me Iranin”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale më 11 qershor.
Megjithatë, ai shtoi se marrëveshja ende është “subjekt i finalizimit të dokumenteve, gjë që duhet të përfundojë gjatë ditëve të ardhshme dhe me gjasë do të ketë një nënshkrim, ndoshta në Evropë”.
I pyetur nga gazetarët nëse lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, e ka miratuar marrëveshjen, Trump tha: “Sipas asaj që kuptoj unë, përgjigjja është po”.
Trump e përshkroi marrëveshjen si “një memorandum mirëkuptimi shumë të fuqishëm”, duke shtuar se ajo ishte “disi konceptuale, por është diçka që do të realizohet”.
“Ne kemi një marrëveshje sipas së cilës Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore, që ishte edhe qëllimi kryesor i gjithë asaj që duhej të kalonim për të arritur deri këtu. Pra, është një gjë shumë e madhe”, u tha presidenti Trump gazetarëve.
Presidenti amerikan tha se nuk do të mund të merrte pjesë personalisht në ceremoninë e nënshkrimit, por shtoi se këtë mund ta bënte nënpresidenti JD Vance./evropaelire.org